Nga Gazeta ‘Si’- Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka vendosur të pranojë pjesërisht kërkesën e gjyqtarëve, të cilët kërkuan rritjen e pagave, gjë u kundërshtua nga qeveria.
Në vendimin e saj, Kushtetuesja vlerëson se disa prej pretendimeve të ngritura janë të bazuara, duke i hapur rrugë rishikimit të formulës aktuale të përllogaritjes së pagave.
Kushtetuesja tha se magjistratëve u është ulur rroga me referencën e fundit, por nuk i takon saj të caktojë pagën, por ligjvënësve.
Ajo i ka lënë detyrë Kuvendit të Shqipërisë që të bëjë ndërhyrjet e nevojshme ligjore për të reflektuar konstatimet e saj. Vendimi pritet të ndikojë drejtpërdrejt në mënyrën e përcaktimit të pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe në balancën mes pushteteve lidhur me çështjet e pavarësisë financiare të sistemit të drejtësisë.
Më 3 mars të vitit të kaluar, Unioni i Gjyqtarëve kërkoi shfuqizimin e ndryshimeve ligjore të miratuara në vitin 2023 nga mazhoranca për pagat e magjistratëve. Sipas ndryshimeve, paga bazë e gjyqtarëve u përcaktua sa 36% e pagës së Presidentit, konkretisht 153 mijë lekë.
Më herët, paga referuese ishte ajo e drejtorit të departamentit në Kryeministri, në nivelin 132,100 lekë, çka me formulën e re solli një rritje prej mbi 20 mijë lekësh.
Megjithatë, gjyqtarët e konsideruan këtë ndryshim si ulje, pasi paralelisht u rritën pagat në administratën publike dhe paga e drejtorit të departamentit në Kryeministri shkoi në 231 mijë lekë.
Sipas tyre, nëse do të ishte ruajtur referenca e mëparshme, paga e tyre do të ishte rreth 78 mijë lekë më e lartë. Për këtë arsye, ata i kërkojnë Gjykatës Kushtetuese rikthimin te formula e vjetër ose përcaktimin e pagës në masën 54.3% të pagës së Presidentit, me reflektim të çdo rritjeje të përgjithshme.
Në praktikë, një rritje e tillë do të sillte shtesa shumë më të mëdha për shkak të formulës së llogaritjes, duke shkuar nga rreth 1800 euro për magjistratët e shkallës së parë deri në mbi 3000 euro për gjyqtarët e Apelit të GJKKO-së dhe SPAK-ut.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje