Drejtësia

SPAK kërkon 1 vit e 6 muaj burg për kryebashkiaken e Roskovecit, Majlinda Bufi

Gazeta Si – SPAK ka kërkuar dënimin me 1 vit e 6 muaj burg për Majlinda Bufin, kryebashkiakia socialiste e Roskovecit për akuzën e “përdorimit të funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”.

Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi i kërkuar ulet në 1 vit burg. Por Bufi nuk rrezikon të shkojë në qeli, për shkak se në përfundim, SPAK kërkoi pezullimin e dënimit dhe lënien e saj në shërbim prove për 2 vjet.

Sipas SPAK, Bufi ushtroi presion ndaj një qytetari, i cili mbështeste opozitën, për të mos votuar në zgjedhjet lokale të majit 2023. Prokurorja Dorina Bejko kërkoi edhe 5 vite mosushtrim të funksioneve publike.

Sipas hetimeve, Bufi, në kundërshtim me ligjin, i ka kërkuar qytetarit G.B., me vendbanim në Roskovec, të mos marrë pjesë në votimet e zgjedhjeve të 14 majit 2023.

Kjo kërkesë, sipas SPAK, është bërë pasi shtetasi G.B., kishte përfituar nga fondi social i bashkisë Roskovec.

Nga hetimet rezultoi se kjo mbështetje ishte dhënë, ndonëse ai nuk po përfitonte fond për një banesë ekzistuese, por për një objekt të sapo-nisur, me mangësi dokumentare mbi pronësinë. Fakt ky që sipas SPAK ka qenë në dijeni të kryebashkiakes.

“E pandehura, Majlinda Bufi, me pretendimin për të ‘shpëtuar’ shtetasin G.B. nga kjo situatë paligjshmërie, ku pretendohej se ai ndodhej, i ka kërkuar: ‘Që nga ky moment e derisa të mbarojnë zgjedhjet të mos hapë gojë, të mos flasë as ai as familja e tij, por të shikojë punën e tij, të rrijë në shtëpinë e tij dhe të mos shkojë fare të votojë në zgjedhjet e datës 14 Maj 2023’.”, – thuhet në akuzën e SPAK-ut.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë