Lajme

Kryemadhi bën bilancin e qeverisë: Vit i skandaleve dhe protestave

Monika Kryemadhi e ka quajtur 2018-ën vitin e skandaleve të mëdha, të korrupsionit, të varfërisë, por edhe vitin e protestave të studentëve, mjekëve dhe të banorëve të “Astirit”.

Në daljen e fundit për shtyp për këtë vit, kryetarja e LSI-së, ka renditur të gjitha bilancet e dështimit të qeverisë Rama sipas saj. Ajo tha se Shqipëria ka humbur një vit jashtë Europës për shkak të korrupsionit, varfërisë dhe krimit.
“Së bashku humbëm një vit drejt hapjes së negociatave për shkak të arrogancës. Humbëm një vit për shkak të korrupsionit dhe kapjes së qeverisë. Sigurisht që viti 2018 do të mbahet mend si viti i protestave që nisi me protestën e opozitës dhe vazhdoi më tutje me protestën e naftëtarëve, me protestën e minatorëve, të biznesit të vogël. Protesta e studenteve solli shpresën e shqiptarëve. Dhe ky vit përmbyllet me protestën e diasporës, për ti kthyer dinjitetin popullit të tyre. 2018 do të mbahet mend si viti i varfërisë dhe u shtrëngon rripin të varfërve dhe u liron të pasurve”, tha Kryemadhi

Kryemadhi nënvizoi se ky vit do të mbahet mend edhe si viti më i varfër i shqiptarëve, por edhe ai i largimit në emigracion për të mos u kthyer më.

“Do të mbahet mend viti i largimit të qindra mjekëve dhe infermierëve. Si viti i mësimit të gjermanishtes, pasi aspirata e vetme është emigracioni. Do të mbahet mend si viti i famshëm i 1 miliardëve, kur Rama donte të injektonte në ekonomi paratë e krimit dhe të drogës, si viti i skandaleve të “Astirit”, si viti i Teatrit, ku Rama me një të rënë të lapsit do të shembë Teatrin për të ngritur kulla 200 milionë eurosh, ideja e krijimit të lavatriçes për pastrimin e parave të drogës. 2018 do të mbahet mend për 100 fishimin e lejeve të kullave nga Bashkia e Tiranës”, – deklaroi kryetarja e LSI-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë