Drejtësia

Dosja ‘5D’, SPAK kërkon 39 vite burg për 7 ish-zyrtarët e Bashkisë Tiranë

Gazeta Si – Prokuroria e Posaçme ka kërkuar dënimin me 39 vite burg ndaj 7 ish-zyrtarëve të Bashkisë së Tiranës në kuadër të dosjes “5D”, që u gjykua me procedurë të zakonshme.

Ata akuzohen se kishin ngritur një skemë korruptive të përvetësimit të taksave të qytetarëve nëpërmjet një kompanie, e cila merrte tenderat publikë.

Konkretisht, SPAK kërkoi 11 vite burg për Redi Mollën dhe 9 vite burg për Mariglen Qaton. Për të akuzuarit e tjerë, Taulant Tusha, kërkohet 4 vite burg, Enton Punavija 3 vite burg, Julian Zanaj 3 vite burg, Albano Janku 2 vite burg dhe Nestor Muhametllari 7 vite burg.

Molla, Qato dhe Tushe kanë edhe dënim plotësues, 5 vjet heqje të drejtës për ushtrim të funksioneve publike.

Po ashtu, është kërkuar konfiskimi i kompanive me kapital miliarda lekë në total, si dhe pronave të përfituara në mënyrë kriminale nga ana e ish-zyrtarëve, si dhe konfiskimin e përqindjes së të pandehurit Redi Molla në hotelin luksoz të ndërtuar në Durrës.

I vetmi që ndodhet në burg nga emrat e mësipërm është Mariglen Qato. Ata akuzohen për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie.

Redi Molla dhe Mariglen Qato thotë SPAK, kanë qenë pronarët “de facto” të shoqërisë 5D Konstruksion sh.p.k, duke përdorur pronarë fiktivë, ndërsa vetëm në këtë dosje të dërguar për gjykim kanë marrë 12 tendera duke përfituar rreth 2 milionë euro në periudhën 2016-2020.

Më herët, Gjykata e Posaçme ka shpallur fajtor duke dënuar katër prej të pandehurve që u gjykuan në proces të ndarë për dosjen “5D”, por që nuk do të bëjnë asnjë ditë burg.

Drejtoresha e klubit shumësportësh, Deborah Keçi, me tre anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave, Teuta Guri, Jetjon Mera dhe Renaldo Gjerazi u dënuan me shërbim prove për shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera.

Sipas SPAK, ata krijuan kushte dhe privilegjuan kompaninë “5D” të drejtorëve të Bashkisë së Tiranës në mënyrë që të shpallej fituese në procedura tenderash.

Pretenca e SPAK

Redi Molla 11 vjet burg, dënim potësues ndalim ushtrimi të funksioneve publike për 5 vite

Mariglen Qato 9 vjet burg, dënim plotësues ndalim ushtrimi të funksioneve publike për 5 vite

Taulant Tusha, 4 vjet burg, dënim plotësues ndalim ushtrimi të funksioneve publike për 5 vite

Albano Janku, 2 vite, dënim plotësues ndalim ushtrimi të funksioneve publike për 5 vite

Enton Punavija, 3 vjet burg, dënim plotësues ndalim ushtrimi të funksioneve publike për 5 vite

Julian Zanaj, 3 vjet burg, dënim plotësues ndalim ushtrimi të funksioneve publike për 5 vite

Nestor Muhametllari, 7 vjet burg, dënim plotësues ndalim ushtrimi të funksioneve publike për 5 vite


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë