Drejtësia

Debate te ‘Metamorfoza’, SPAK kërkon 40 dëshmitarë për vrasjen e Gjin Boriçit

Gazeta Si – SPAK ka kërkuar të thirren 40 dëshmitarë në gjyq ndaj grupit që akuzohet për krime të rënda në dosjen “Metamorfoza”.

Në seancën e kësaj të hëne, Prokuroria e Posaçme vendosi të pyesë dëshmitarët për vrasjen e Gjin Boriçit dhe për sigurimin e kushteve për të kryer vrasjen e Kleanthi Musabelliut në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Ndërkohë, gjatë seancës ka pasur debate të forta mes avokatëve të biznesmenit Pëllumb Gjoka dhe prokurorëve të posaçëm.

Shkak kanë qenë mospërputhjet e orareve të bisedave në platformën e ç’koduar “Sky ECC” dhe orarit të vrasjes së Gjin Ndojit në gusht të vitit 2020.

Prokurori Arben Kraja ka argumentuar se kjo ka ndodhur, për shkak se orari i serverëve të “Sky ECC” nuk është i njëjtë me orën lokale.

Ndërkohë, avokati i Gjokës, Gurali Brahimllari, është shprehur se procesverbali ndaj klientit të tij është spostuar dhe se “është manipulim”. Për shkak se avokatët kërkuan kohë të njihen me përmbajtjen e provave, seanca u shty për një ditë tjetër.

Në procesin “Metamorfoza”, bashkë me biznesmenin Pëllumb Gjoka, po gjykohen edhe Behar Bajroviç dhe Edmond Preka.

Për të njëjtën, dosje, në nëntor 2025, GJKKO liroi ish-shefin e forcave operacionale, Oltion Bistri, ku masa ndaj tij u shua dhe u urdhërua lirimi i menjëhershëm nga qelia.

Edhe ish-Prokurori i Kukësit, Xhevahir Lita u lirua menjëherë në sallën e gjyqit, pasi kishte shlyer dënimin e plotë, pas akuzave për korrupsion, shpërdorim detyre, përkrahje të autorit të krimit apo dhe për falsifikim dokumentash.

Behar Brajoviq (Bajri) u shpall fajtor dhe u dënua me 13 vite burg (8 vite e 8 muaj heqje lirie me gjykim të shkurtuar) për disa vepra të rënda penale, që nga sigurimi i kushteve për vrasjen e Kleant Musabelliut e deri te pjesëmarrja në grup të strukturuar kriminal.

Ndërsa për Edmond Prekën, u vendos dënimi me 10 vite e 6 muaj burg (7 vite heqje lirie) për sigurimin e kushteve për vrasjen e Kleant Musabelliut, armëmbajtje pa leje dhe si pjesë e grupit të strukturuar kriminal.

Zbardhja e dosjes u bë mbi bazën e komunikimeve të siguruara nga aplikacioni SKY ECC, përdorim i të cilave është kundërshtuar nga disa prej avokatëve të të pandehurve, të cilët pretendojnë se provat janë marrë në mënyrë të paligjshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë