Lajme

Arrestohet në Athinë porositësi i vrasjes së kryepolicit Artan Cukut

Ka rënë në pranga i dyshuari kryesor për porositjen e vrasjes së ish-oficerit të lartë të Policisë, Artan Cukut.
38-vjeçari Bledar Jambelli, i cili ishte në kërkim ndërkombëtar, është arrestuar në Athinë.
Nga hetimet e kryera nga Policia e Tiranës në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë dyshohet se ky shtetas ka porositur vrasjen e Artan Cukut, ngjarje e ndodhur më 8 prill 2017.
Kryekomisari u vra duke hyrë në shtëpinë e tij në Tiranë. Ai u qëllua me 5 plumba, katër në gjoks dhe një në kokë.
Po nga hetimi rezulton se motivi i krimit lidhet me arrestimin e tij në kohën kur viktima kryente detyrën e Drejtorit të Policisë Vlorë.
Ky person është shpallur në kërkim ndërkombëtar më datë 13.06.2017, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, me vendimin nr. 292, datë 12.06.2017, ka vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprën penale “Vrasja e Punonjësit të Policisë së Shtetit” e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 79/b dhe 25 të Kodit Penal.
Arrestimi i tij në Greqi është bërë me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë