Gazeta Si – Policia belge bastisi ambientet e Komisionit Europian në Bruksel, si pjesë e një hetimi mbi parregullsi të mundshme në shitjen e pasurive të paluajtshme me vlerë afërsisht 900 milionë euro në vitin 2024, kur austriaku, Johannes Hahn ishte Komisioner i Buxhetit.
Sipas mediave, hetimi po kryhet nga Zyra e Prokurorit Publik Evropian (EPPO), e cila thotë se po “mbledh prova”.
Sipas burimeve në Zyrën e Prokurorit Publik Europian, hetimi ka të bëjë me marrëveshjen e finalizuar më 29 prill 2024, nga ekzekutivi i BE-së me fondin sovran të pasurisë Federal Holding and Investment Company për shitjen e 23 ndërtesave të Komisionit.
Brukseli e kishte paraqitur transaksionin si një hap kyç në transformimin e Lagjes Europiane në një zonë “moderne, tërheqëse dhe më të gjelbër”, ku zyrat, banesat, dyqanet dhe hapësirat rekreative mund të bashkëjetonin në mënyrë harmonike.
Marrëveshja u përshkrua si “e dobishme për fqinjësinë evropiane” dhe instrumentale në qëllimin e Komisionit për të zvogëluar hapësirën e zyrave me 25% deri në vitin 2030, duke modernizuar dhe bërë pasuritë e saj të paluajtshme më të qëndrueshme, si dhe duke zvogëluar gjurmën e karbonit.
Plani, siç u shpjegua nga ekzekutivi i BE-së në atë kohë, do të lejonte gjithashtu ekonomi shkalle duke përqendruar stafin në një numër më të vogël ndërtesash më të mëdha dhe më efikase nga ana energjetike.
Në maj, ish-Komisioneri Europian për Buxhetin, austriaku Johannes Hahn, u emërua i Dërguar i BE-së në Qipro.
Hahn raporton drejtpërdrejt te Presidentja e Komisionit Ursula von der Leyen dhe punon ngushtë me të Dërguarën Personale të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për Qipron, Maria Angela Holguin Cuellar.
“Ky emërim nënvizon angazhimin e Komisionit Europian për ribashkimin e Qipros, me qëllim sigurimin e një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse funksionale dhe të qëndrueshme, në përputhje me rezolutat përkatëse të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe në përputhje me parimet, vlerat dhe legjislacionin e BE-së”, shpjegoi ekzekutivi europian pas emërimit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



