Nga Gazeta ‘SI’ – Profecia e projeksioneve ndërkombëtare për një Shqipëri pa të rinj duket se po afrohet gjithnjë e më shumë me realitetin.
Shifrat e fundit nga INSTAT tregojnë se numri i lindjeve në vend ka rënë ndjeshëm, me rreth 11% vetëm në tremujorin e katërt të vitit 2025. Gjatë kësaj periudhe në Shqipëri janë regjistruar 5.373 lindje.
Pjesa më e madhe e këtyre lindjeve është regjistruar në Tiranë, me 2.589 raste. Kryeqyteti është i vetmi qark që ka shënuar rritje të numrit të lindjeve, me 10.4%. Në të kundërt, rënia më e madhe raportohet në Dibër, me 39%.
Nga ana tjetër, në të njëjtën periudhë janë regjistruar 4.705 vdekje, me një rënie prej 12.3% krahasuar me një vit më parë. Kjo ka bërë që shtesa natyrore të rezultojë pozitive, me 668 lindje më shumë se vdekje.
Gjatë tremujorit të katërt 2025, numri më i ulët i vdekjeve është regjistruar në qarkun e Kukësit, me 81 raste, ndërsa numri më i lartë në qarkun e Tiranës, me 1.042 raste.
Në pesë qarqe të vendit shtesa natyrore e popullsisë është negative, me Fierin që kryeson me 120 vdekje më shumë se lindje. Tirana mbetet qarku me shtesën natyrore më të lartë, me 1.547 lindje më shumë sesa vdekje.
Shumë parashikime nga autoritete ndërkombëtare dhe vendase kanë paralajmëruar prej vitesh për plakjen e popullsisë dhe rënien e numrit të të rinjve në ven, me ndikim direk në tregun e punës, sistemin e pensioneve dhe konsumin e Shqipërisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



