Nga Gazeta ‘SI’- Aktorja Anila Bisha, që ka shërbyer si imazh dhe zë i avatarit të ministres Diella, ka hedhur në gjyq qeverinë dhe AKSHI-n.
Në një padi në Gjykatën Administrative të Tiranës, Bisha kërkon që imazhi i saj të mos shfrytëzohet më për këtë funksion, të paktën deri sa të zgjidhet ligjërisht.
Bisha, me anë të një kontrate me AKSHI-n një vit më parë, ka pranuar të jetë fytyra dhe zëri i Diellës, por asaj asistente në e-Albania dhe jo asaj ministre të prokurimeve.

Në një deklaratë për mediat, vjeshtën e vitit të shkuar, pak pasi Rama prezantoi ministren e parë virtuale, Bisha tha se kontrata është deri në dhjetor.
Në emisionin “Opinion”, aktorja tha se nuk është paguar për “pozicionin” në kabinetin qeveritar”.

Blendi Fevziu: Sa lekë more, do të të pyesin shqiptarët?
Anila Bisha: Po ta dija që do të ishte Diella kaq e famshme, kam marrë shumë pak, por kam marrë për Diellën e e-Albanias.
Blendi Fevziu: Ti nuk ke marrë për Diellën ministre?
Anila Bisha: Akoma. Por besoj se… Eksperienca me AKSHI-n ka qenë e shkëlqyer, kemi pasur dakordësi dhe gjithçka ka qenë korrekte.
Ndonëse nuk është e qartë arsyeja pse “Diella” shkoi në dyert e gjykatës, por gjasat janë që të lidhet me kohëzgjatjen dhe shtrirjen e përdorimit të imazhit, përtej kontratës.
Ngjarja vjen si një paradoks, ndërsa qeveria tenton të krijojë një ministër dhe një institucion tërësisht digjital, dhe nga ana tjetër përballet me ngërçin e të drejtave të autorit.
Diella u prezantua si ministre më 11 shtator 2025, si pjesë e kabinetit të qeverisë së katërt të Ramës. Opozita dhe ekspertët vendas e kundërshtuan dekretin e presidentit për të njohur Diellën si minsitre, duke theksuar se është anti-kushtetuese dhe e paditën në Gjykatën Kushtetuese.
Atëkohë, emërimi i Diellës, bëri xhiron e botës, shoqëruar dhe me shumë kritika nga ekspertët ndërkombëtarë, por edhe tallje.
Për herë të parë u bë e njohur në janarin e shkuar, kur u prezantua si asistente virtuale në platformën e-albania, si krijim i AKSHI-t dhe një kompanie private.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



