Drejtësia

Ministri Besfort Lamallari: Sulm i organizuar kriminal

Gazeta Si – Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, ka dënuar përmes pamjeve në rrjetet sociale dhunën ndaj punonjësve të policisë gjatë protestës së Partisë Demokratike, duke e cilësuar atë si shkelje flagrante të së drejtës për tubim paqësor dhe sulm të organizuar kriminal.

Ai shprehu mirënjohje për efektivët dhe solidaritet me familjarët e të lënduarve. “Mirënjohje për punonjësit e Policia e Shtetit, të cilët për fat të keq, krahas mundimit të përditshëm për të ofruar më shumë siguri për qytetarët, u duhet të përballen me vetëpërmbajtje duke rrezikuar dhe jetën nga akte të tilla kriminale, të cilat janë një shkelje flagrante dhe e dënueshme e të drejtës legjitime për tubim paqësor! Solidaritet me familjarët e punonjësve të lënduar dhe të gjithë ata të cilët kanë ndjekur me ankth përmes medias se si prindërit, bijtë, bashkëshortët dhe vëllezërit e tyre rrezikuan jetën nga një sulm i nxitur dhe organizuar kriminal”.

Edhe ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, tha se e drejta për të protestuar u dhunua nga një grup protestuesish që sulmoi policinë. Ajo shkroi se asnjë lloj agjende nuk e justifikon përdorimin e dhunës në protestë.

“E drejta për të protestuar, për të disatën herë, u dhunua nga një grup që zgjodhi forcën në vend të fjalës, duke sulmuar, dhunuar e lënduar punonjësit e Policisë së Shteti. Dhuna nuk mund të jetë kurrë një mjet dhe asnjë lloj agjende nuk e justifikon përdorimin e saj”.

Si pasojë e përplasjes, 16 policë morën ndihmë mjekësore në Spitalin e Traumës dhe QSUT, pasi protestuesit hodhën molotovë dhe fishekzjarrë, duke u shkaktuar dëmtime të shumta.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë