Drejtësia

SPAK çon në gjyq ish-kryebashkiakun e Kavajës Elvis Rroshi, për abuzim me tenderët

Gazeta Si – SPAK ka përfunduar hetimet ndaj ish-kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Rroshi dhe ka kërkuar në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) kalimin e çështjes për gjykim.

Rroshi dyshohet se ka konsumuar veprën penale të “shpërdorimit të detyrës” dhe “shkelja e barazisë në tenderë”.

Hetimet janë nisur me bazë kallëzimin e bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) pas një auditi në Bashki në vitet 2013-2014, si i dyshuar për abuzim me një tender prej 33 milionë lekësh.

Në mars të vitit të kaluar, pasi SPAK kishte vendosur pushimin e hetimeve, Gjykata e Posaçme u kërkoi prokurorëve që të hetonin për kallëzimin penal të bërë nga KLSH 10 vite më parë.

Nga një auditim që KLSH kishte bërë kur Bashkia e Kavajës drejtohej nga Elvis Roshi, u konstatuan një sërë parregullsish në fushën e urbanistikës dhe prokurimeve të fondeve publike me dëm ekonomik në vlerën e 33 milionë lekëve. Kështu Roshi po hetohet për shpërdorim detyre.

Roshi u zgjodh kryebashkiak i Kavajës dy herë në zgjedhjet e vitit 2011 dhe ato të vitit 2015. Në vitin 2018, Roshi u dënua me 60 orë punë në komunitet, duke u bërë zyrtari i parë që prekej nga lihji i dekriminalizimit. Shkak për dënimin e tij u bë falsifikimi i formularit të dekriminalizimit në vitin 2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë