Drejtësia

Mashtrim fiskal me 150 mln lekë shitje fiktive, arrestohet biznesmeni në Tiranë

Gazeta Si – Një biznesmen në Tiranë, Gjergji Fela është arrestuar, pasi dyshohet se ka ndërtuar një skemë mashtrimi me fatura fiktive, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm financiar prej rreth 62 milionë lekësh.

Sipas Prokurorisë së Tiranës, 50-vjeçari, akuzohet për veprat penale “krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH)” dhe “Fshehje e të ardhurave”.

Sipas hetimeve të kryera nga Prokuroria e Tiranës në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Tatimor dhe Policinë e Shtetit, 50-vjeçari ka përdorur subjektin tregtar “Dorina Fela”, në emër të bashkëshortes së tij, për të kryer shitje fiktive në vlerën rreth 150 milionë lekë. Si pasojë, dëmi i përllogaritur ndaj buxhetit të shtetit kap shifrën 62,670,861 lekë.

Sipas organit të akuzës, veprimet janë realizuar përmes deklarimeve të pavërteta dhe përdorimit të faturave fiktive, me qëllim krijimin e një skeme mashtruese fiskale për përfitimin e padrejtë të kreditimit të TVSH-së dhe uljen e bazës së tatueshme për tatimin mbi fitimin, duke cenuar interesat financiare të shtetit.

Në kuadër të këtij procedimi penal, Fela u arrestua pasi dyshohet se ka pasur rol organizues dhe drejtues në këtë veprimtari të paligjshme, duke përdorur subjektin tregtar në emër të bashkëshortes së tij për realizimin e skemës mashtruese.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë