Gazeta Si – Kryebashkiaku i Rrogozhinës, Edison Memolla dënohet me 1 vit burg edhe nga Apeli i GJKKO-së për veprën penale të “korrupsionit në zgjedhje”, teksa është lëshuar dhe urdhër-arresti për të, pasi ai nuk ishte i pranishëm në seancë.
Sipas burimeve, GJKKO ka refuzuar kërkesën e Memollës për konvertim të masës së sigurisë, ku pretendonte një zbutje të saj.
Pas urdhrit të prokurorit të posaçëm për të firmosur arrestimin e tij, Memolla pritet të arrestohet nga policia dhe të shkojë në një burg të sigurisë së zakonshme për të vuajtur dënimin 1-vjeçar. Përpos 1 viti heqje lirie, Memollës i ndalohet për 5 vite ushtrimi i funksioneve publike.
Janë shpallur fajtorë edhe dy bashkëpunëtorë të kryebashkiakut, Blerim Xhamani dhe Isuf Tosku. Ata janë dënuar përkatësisht me nga 1 vit dhe 8 muaj burg, ku për Toskun dënimi u pezullua duke u vendosur në shërbim prove.
Pjesë e kësaj dosje është edhe Ndriçim Tafxhafa, dënuar me 1 vit burg po për korrupsion aktiv në zgjedhje.
Hetimet për kryebashkiakun nisën pas publikimit në media të një audio-përgjimi, ku dëgjohet Edison Memolla, në atë kohë kandidat për Kryetar Bashkie në Rrogozhinë, teksa ndikon tek një elektriçist, për të mos i ndërprerë energjinë elektrike një abonenti debitor.
Kryebashkiaku u dërgua në gjykim nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar së bashku me tre të pandehur të tjerë, Ndriçim Tafxhafa dhe Blerim Xhamani të akuzuar “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” dhe Isuf Tosku, i akuzuar për falsifikim të dokumentave, kryer në bashkëpunim.
Sipas SPAK-ut Memolla ndikoi tek Blerim Xhamani, elektriçist pranë FSHU Durrës, për të mos i ndërprerë energjinë elektrike një abonenti debitor, me qëllim për të votuar në favor të tij në zgjedhjet lokale, si dhe komunikon me Xhamanin, për punësime në Bashkinë Rrogozhinë, po ashtu në këmbim të votës.
I pandehuri Ndriçim Tafxhafa, i ka premtuar shtetases për shlyerje të detyrimeve ndaj OSHEE dhe për strehim, ndërsa Blerim Xhamani dhe Isuf Tosku kanë falsifikuar të dhënat në procesverbalin e ndërprerjes së energjisë elektrike, duke paraqitur të dhëna të rreme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



