Analize

Fushat (e shumta), ku Bashkimi Europian varet nga SHBA-të

Gazeta Si – Qëndrimi armiqësor, kërcënues dhe agresiv i Trumpit, po bën që institucionet evropiane dhe udhëheqësit e shumë vendeve të distancohen nga Shtetet e Bashkuara në aspekte të ndryshme.

Franca, për shembull, gradualisht do të ndalojë do të ndalojë së përdoruri shërbimet digjitale amerikane në administratën publike, dhe Gjermania po ndërton sistemin e vet satelitor anti-raketë, të ndarë nga ai amerikan.

Megjithatë, kjo nuk është e lehtë dhe në fakt mund të bëhet një problem i madh: vendet e Bashkimit Europian varen nga Shtetet e Bashkuara në shumë sektorë, dhe kjo i bën ato të cenueshme.

Mbrojtja

Europa varet nga Shtetet e Bashkuara për mbrojtjen e saj në mënyra shumë konkrete: Amerika është anëtari më i rëndësishëm i NATO-s, aleancës ushtarake të cilës i përkasin pothuajse të gjitha shtetet evropiane; ajo ka dhjetëra mijëra ushtarë në kontinent (afërsisht 80.000 në vendet europiane të NATO-s në vitin 2024); dhe kontrollon një pjesë të konsiderueshme të kokave bërthamore të Europës.

Shumica e ushtrive europiane janë të armatosura nga industritë amerikane. Kjo varësi është veçanërisht e fortë për teknologjitë më të përparuara, të tilla si raketat, avionët luftarakë dhe sistemet anti-raketore, për të cilat industritë amerikane posedojnë teknika dhe ekspertizë që janë të vështira për t’u replikuar.

Një avion ushtarak amerikan F-35A gjatë ceremonisë zyrtare të dorëzimit në Bazën Ajrore Florennes, Belgjikë, më 13 tetor 2025

Energjia

Pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022, Bashkimi Europian vendosi të zvogëlojë importet e gazit rus dhe filloi t’i zëvendësojë ato me gaz amerikan, i cili shpejt u bë thelbësor.

Nga viti 2021, deri në vitin 2024, përqindja e gazit të importuar nga Shtetet e Bashkuara u dyfishua, nga afërsisht 19, deri në 45 përqind të totalit.

Gazi amerikan mbërrin në Europë si gaz natyror i lëngshëm (LNG), transportohet në transportues të mëdhenj LNG dhe më pas rigazifikohet përpara se të futet në rrjetet kombëtare.

Ky është një proces i kushtueshëm, i cili konsiderohej joekonomik derisa shpërthimi i luftës në Ukrainë shkaktoi një rritje të ndjeshme të çmimeve.

Sasia e gazit natyror të lëngshëm të importuar nga Shtetet e Bashkuara, ka të ngjarë të vazhdojë të rritet në vitet e ardhshme, veçanërisht pasi Komisioni Europian ka premtuar të blejë më shumë në vitin 2025, pikërisht për të fituar favorizimin nga Trumpit.

“Ne kemi zgjedhur të zëvendësojmë një varësi me një tjetër”, tha për “New York Times”, Henning Gloystein, një studiues në Grupin Eurasia. “Tre vjet më parë, dukej si një ide e mirë; sot, jo aq shumë”.

Rritja e eksporteve të gazit natyror të lëngshëm nga Shtetet e Bashkuara në Bashkimin Evropian nga viti 2018 deri në vitin 2025, dhe vendet kryesore që e blejnë atë. Sasia shprehet në miliarda këmbë kub në ditë (1 miliard këmbë kub është afërsisht ekuivalent me 28.3 milion metra kub). Grafiku është marrë nga Instituti Amerikan i Naftës, i cili përdori të dhënat e qeverisë amerikane

Komunikimet hapësinore dhe satelitore

Satelitët sigurojnë komunikime në situata emergjente dhe përdoren gjithashtu në ushtri, për shembull, për të drejtuar ose kapur raketa ose dronë dhe për t’u lejuar ushtarëve të orientohen.

BE-ja varet nga Shtetet e Bashkuara edhe në këtë drejtim. Ndërkohë, ajo po zhvillon konstelacionin e vet satelitor të quajtur IRIS² (Infrastrukturë për Rezistencë, Ndërlidhje dhe Siguri nëpërmjet Satelitit), të cilën Komisioni pret ta përfundojë “rreth vitit 2029”.

Edhe qasja në kapacitetin për të lëshuar satelitët e saj, është një problem. Programi hapësinor europian është shumë më pak i financuar se ai i SHBA-ve dhe është më pak i zhvilluar.

Bashkimi Europian ka lëshuesin e vet operativ (“Ariane”) dhe sistemin e vet të lëshimit (“Vega”), por ato janë ende të pamjaftueshme.

Në shumë raste, këto duhet të mbështeten në lëshimet nga SpaceX, kompania në pronësi të miliarderit amerikan, Elon Musk, e cila, megjithatë, ka një marrëdhënie të ndërlikuar me BE-në: në të kaluarën, ajo është përpjekur të ndërhyjë në politikën e brendshme të disa vendeve duke mbështetur të djathtën ekstreme, dhe Komisioni Europian ka akuzuar rrjetin e saj social X për shkelje të ndryshme.

Një raketë “Ariane 6”

Interneti dhe shërbimet digjitale

Rreth 90% e kapacitetit të komunikimit nëpërmjet kabllove nëndetëse të përdorura për komunikim midis Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian, kontrollohet nga kompanitë amerikane.

Shumica dërrmuese e telefonave inteligjentë të përdorur në BE përdorin gjithashtu sisteme operative amerikane.

Faqet e internetit dhe shërbimet online funksionojnë falë ofruesve të cloud-it, kompanive që ruajnë të dhëna dhe informacione në serverat e tyre.

Një pjesë e madhe e të dhënave të individëve dhe kompanive europiane ruhen nga tre ofrues të cloud-it amerikan: Amazon, Google dhe Microsoft.

Përtej varësisë, kjo krijon një problem me mbrojtjen e të dhënave, pasi autoritetet amerikane mund të kërkojnë qasje në informacionin e ruajtur në serverat e këtyre kompanive.

Pamje e jashtme e selisë së Gjykatës Ndërkombëtare Penale në Hagë, Holandë

Pagesat

Pagesat digjitale në Bashkimin Europian trajtohen kryesisht nga dy kompani të mëdha amerikane: “Visa” dhe “Mastercard”, të cilave iu bashkua “PayPal” vitet e fundit.

Ashtu si me internetin dhe shërbimet digjitale, rreziku është që Shtetet e Bashkuara të pezullojnë përdorimin e këtyre sistemeve të pagesave si një mjet presioni politik.

Ka precedentë edhe këtu: për shembull, kartat “Mastercard” dhe “Visa” u bënë të papërdorshme në Rusi pas sanksioneve të vitit 2022.

Individët që i nënshtrohen sanksioneve individuale, siç janë gjyqtarët e Gjykatës Ndërkombëtare Penale dhe raportuesja e OKB-së, Francesca Albanese, gjithashtu përballen me probleme të ngjashme.

Varësia ndryshon midis vendeve evropiane: Irlanda, Greqia dhe Portugalia, për shembull, janë tërësisht të varura nga “Visa” dhe “Mastercard”, ndërsa të tjera, si Gjermania, Franca dhe Holanda, kanë gjithashtu sisteme kombëtare.

Bashkimi Europian mund të fitojë pavarësi më të madhe duke futur euron digjitale, një monedhë që nuk mbështetet nga qarqet tradicionale, siç janë kartat e kreditit ose kartat e debitit.

Banka Qendrore Europiane po punon për këtë dhe vlerësohet se mund të bëhet funksionale deri në vitin 2029.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë