Drejtësia

20 mijë euro për ekstradimin e të dënuarit nga Turqia, SPAK çon në gjyq 3 persona

Gazeta Si – SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq dosjen në ngarkim të tre personave të cilët akuzohen për ushtrim të ndikimit të paligjshëm në procedurën e transferimit të një të dënuari.

Sipas njoftimit, bëhet fjalë për ish-gardistin Zef Mali, bashkëpunëtorin e tij, Kreshnik Domi dhe Jemine Çokun.

Hetimet e SPAK kanë zbuluar se Zef Mali, në bashkëpunim me Domin, i kanë marrë të pandehurës tjetër 20 mijë euro me premtimin se do ta ndihmonin në përshpejtimin e procedurave të ekstradimit të vëllait të saj Kujtim Çeliku nga Turqia drejt Shqipërisë.

Në kohën kur Zef Mali ka kryer këtë veprim, mbante detyrën e oficerit të Shtabit për Menaxhimin e Forcave në Gardën e Republikës dhe Kreshnik Domi ishte një lidhje shoqërore e tij.

Po ashtu, u zbulua se procedurat ligjore për Çelikun kishin nisur, por një ekstradim i tillë ende nuk është kryer.

Ata i kanë premtuar dhe siguruar Çokut se do të ushtrojnë ndikim të paligjshëm tek funksionarë të Ministrisë së Drejtësisë, për të ndjekur procedurën e transferimit në Shqipëri të vëllai të saj, i dënuar me burgim në Republikën e Turqisë për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit.

“Konkretisht, nga muaji janar deri në tetor të vitit 2025, në të cilën ishte në zhvillim procedura e personit të dënuar, të pandehurit Zef Mali dhe Kreshnik Domi kanë mbajtur kontakte të vazhdueshme me të pandehurën Jemine Çoku dhe me familjarë të tjerë të saj, duke i siguruar se ata kishin mundësi të ndikonin tek funksionarë të Ministrisë së Drejtësisë për realizimin e procedurës së transferimit të të dënuarit. Për këtë qëllim, e pandehura Jemine Çoku u ka dhënë të pandehurve shumën prej 20.000 eurosh, si përfitim të parregullt”, njoftoi SPAK.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë