Drejtësia

‘AKSHI’, lihen në fuqi masat e sigurisë për 2 zyrtaret dhe të dyshuarit e tjerë

Gazeta Si – Gjykata e Posaçme e Apelit la në fuqi masat e sigurimit për dosjen “AKSHI”, ku drejtoresha Mirlinda Karçanaj (e pezulluar nga detyra) dhe zv/drejtoresha, Hava Delibashi do të vijojnë në “arrest shtëpie”.

Ata kërkuan ndryshimin e masave të sigurimit dhe zbutje të tyre, por gjatë seancës së kësaj të enjteje, SPAK ka vënë në dispozicion akte dhe prova të reja, duke bërë që gjyqtari Florjan Kalaja të lërë në fuqi masat.

Ndërkohë, për zv.drejtorin e Policisë së Tiranës, Erion Ismaili, mbeti në fuqi masa e pezullimit nga detyra dhe ndalimit për të dalë jashtë vendit, si edhe për 3 biznesmenët, Gëzim Hoxha, Andis Papa dhe Rogers Rryta.

Për këta të fundit, SPAK thotë se “kanë marrë pjesë formalisht në procedura tenderimi, kanë lëshuar fatura tatimore fiktive si dhe kanë realizuar transaksione ndaj kompanive që s’ishin pjesë e procesit të tenderimit”. Të tre akuzohen për pastrim të parave dhe grup i strukturuar kriminal.

Për këtë çështje, janë ende në kërkim dy biznesmenët, Ergys Agasi dhe Ermal Beqiraj. Karçanaj, Agasi, Beqiri dhe zyrtarët e tjerë akuzohen për “shkelje barazisë në tendera, korrupsion, shpërdorim detyre dhe pastrim parash”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë