Gazeta Si – Pas nisjes së hetimeve për pëmbytjet në Durrës, prokuroria ka sekuestruar dokumentet që lidhen me projektin për rehabilitimin e argjinaturës së lumit Erzen.
Vendimi është marrë më 4 shkurt 2026 me kërkesë të prokurores Suela Beluli, në kuadër të hetimeve pas përmbytjeve në fillim të janarit të këtij viti.
Sipas prokurorisë, është kërkuar administrimi i dokumentacionit pranë Bashkisë Durrës, i cili ka shërbyer për realizimin e punimeve në këtë zonë, si dhe ai i procedurës së prokurimit, zbatimit dhe marrjes në dorëzim të objektit “Rehabilitimi i argjinaturës, ngritjes së bankinës dhe sistemimi i argjinaturës së lumit Erzen”, si dhe i gjithë dokumentacionit tekniko-ligjor të lejes së ndërtimit për këtë projekt.
Prokuroria e Durrësit, thotë se procedimi penal është regjistruar në kuadër të situatës së përmbytjeve të ndodhura pas daljes nga shtrati të lumit Erzen, si dhe pas urdhrit për evakuimin e banorëve në zonat e prekura.
Hetimet, sipas organit të akuzës, janë nxitur gjithashtu nga informacionet e publikuara në rrjetet sociale, konkretisht në Facebook, si dhe nga raportimet e mediave lokale, lidhur me ndërhyrjet për rehabilitimin e kësaj argjinature.
Sipas vendimit, sekuestrimi i dokumenteve do të kryhet nga oficeri i policisë gjyqësore, ndërsa një kopje e vendimit i është vënë në dispozicion Bashkisë Durrës.
Ky vendim vjen pas situatës katastrofike nga përmbytjet masive në fillim të janarit 2026 që regjistruan gjithashtu dhe një viktimë duke nxitur Prokurorinë për të nisur hetimet për 3 vepra penale: “Shpërdorimi i detyrës”, “Shkatërrimi i pronës me përmbytje” dhe “Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia”.
Çarja e argjinaturës së lumit Erzen solli jo pak dëme për banorët e qytetit të Durrësit. Më të prekurit nga përmbytjet ishin fshatrat Katund i Ri, Sukth dhe Fllakë, ku përveç tokave bujqësore, uji vërshoi dhe nëpër banesa.
Rreth 1 mijë banesa përllogariten të prekura nga përmbytjet, teksa qindra banorë u evakuuan dhe mbi 300 biznese u dëmtuan.
Për shkak të përmbytjeve në Durrës u shënua dhe një viktimë: 54-vjeçari Astrit Hysenaj, punonjës i pastrimit në Bashkinë e Durrësit, i cili u gjet i vdekur në kanalin e zonës së ish-repartit ushtarak nga polumbarët, pasi e kishte marrë rrjedha e fortë e ujit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



