Drejtësia

Ilir Meta kërkon lirinë, Gjykata Kushtetuese vendos më 8 prill

Gazeta Si – Gjykata Kushtetuese ka caktuar datën 8 prill, ora 11:00, për shqyrtimin e ankimit të ish-presidentit Ilir Meta kundër vendimit që e mban atë në “arrest me burg”, i pandehur nga SPAK për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.

Shqyrtimi do të zhvillohet në bazë të dokumenteve të paraqitura nga mbrojtja, pa prezencën personale të ish-presidentit.

Meta ka kërkuar nëpërmjet avokatit të tij që Gjykata Kushtetuese të shpallë të papajtueshëm me Kushtetutën vendimin e 27 shkurtit të Gjykatës së Lartë, e cila konfirmoi masën e sigurisë “arrest me burg”.

Ai kërkon gjithashtu shfuqizimin e vendimeve të gjykatave të shkallëve të mëparshme: vendimin e Apelit të Gjykatës së Posaçme më 19 nëntor 2024 dhe vendimet e Shkallës së Parë më 20 dhe 23 tetor 2024.

Çështja lidhet me hetimet e SPAK ndaj Metës dhe ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi, për akuza që përfshijnë korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim të pasurisë. Meta ndodhet në paraburgim që prej 21 tetorit 2024, ditë kur u arrestua.

Vendimi i Kushtetueses pritet të shqyrtojë në detaje ligjshmërinë e masës së sigurisë dhe respektimin e të drejtave kushtetuese të ish-presidentit.

Shqyrtimi në bazë dokumentesh do të përfshijë të gjitha argumentet ligjore të paraqitura nga mbrojtja dhe do të analizojë nëse vendimet e gjykatave të mëparshme janë marrë në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë