Gazeta Si – Aksi Librazhd-Korçë do të bllokohet gjatë natës për qarkullimin e automjeteve për shkak të punimeve që do të kryhen në vendin, ku të dielën pati një bllokim të rrugës si pasojë e rënies së një masivi shkëmbor.
“Për shkak të punimeve që do të kryhen në aksin rrugor “Librazhd-Korçë”, në fshatin Dragostunjë, do të ketë bllokim të përkohshëm të qarkullimit të automjeteve në këtë aks rrugor, nga data 03.02.2026 deri më datë 05.02.2026, gjatë intervaleve kohore 22:00-05:00”, njoftoi policia.
Aksi do të jetë i pakalueshëm për mjetet, veçanërisht ato të tonazhit të rëndë. Të vetmet mjete që do të lejohen të qarkullojnë janë ambulancat, zjarrfikëset dhe makinat e policisë.
Si alternativë kalimi për mjetet e vogla drejt Tiranës ose anasjelltas do të shërbejë aksi Maliq-Lozha-Moglicë-Gramsh.
“Shërbimet e Policisë do të jenë të pranishme në terren, për menaxhimin e situatës, garantimin e rendit dhe të sigurisë rrugore. Policia Rrugore e Elbasanit apelon për mirëkuptim nga ana e drejtuesve të mjeteve, respektimin e sinjalistikës dhe të udhëzimeve të shërbimeve të Policisë, si dhe për shmangien e lëvizjeve të panevojshme gjatë intervaleve kohore të bllokimit. Në rast nevoje apo për të denoncuar shkeljet e rregullave të qarkullimit rrugor që sjellin ngadalësim apo bllokim të lëvizjes, qytetarët mund të telefonojnë në numrin pa pagesë 112 ose të komunikojnë me shërbimet e Policisë në detyrë”, njoftoi policia.
Të dielë, për shkak të masivit shkëmbor që rrëshqiti në rrugë aksi në fjalë u bllokua për 8 orë të dielën. Bllokimi i këtij segmenti që lidh kryeqytetin me juglindjen e vendit solli një situatë të rënduar, duke shkaktuar radhë kilometrike të automjeteve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



