Tre persona mbeten të vrarë në një atentat mafioz në qytetin e Elbasanit në orët e mbrëmjes së 29 dhjetorit, por në takimin me drejtuesit e policisë nëpër rrethe, ministri i Brendshëm u ndal gjatë tek masat për bllokimin lotove dhe për sigurinë në këto ditë festive.
Sandër Lleshaj kujtoi se çdo aktivitet që ka të bëjë me lojëra fati pas orës 00:00 të 1 janarit do konsiderohet veprimtari e paligjshme e cila do sanksionohet sipas ligjeve në fuqi. Ai paralajmëroi drejtuesit e policisë nëse në zonat e tyre do të konstatohen aktivitete të ushtrimit të basteve sportive do të ndëshkohen sipas ligjit.
“Që në orën 00:00 të 1 janarit nuk do të lejohen bastet sportive, lojërat me kalë, apo dhe reklamat për bastet. Policia e Shtetit në këtë rast është strukturë në zbatimin e drejtpërdrejt të ligjit. Nga data 1 janar kjo veprimtari bëhet e paligjshme në territorin e Republikës së Shqipërisë. Ndalimi i saj është detyrim për Policinë e Shteitt. Në çdo lokal ku ushtrohet në mënyrë të hapur, apo të kamufluar duhet të trajtohet si parcelë kanabisi dhe e gjithë qasja e policisë duhet të jetë e tillë. Drejtuesit e policisë do vihen përpara përgjejgësisë nëse konstatohet veprimtari e paligjshme në territorin që ata kanë në mbikëqyrje”, tha ministri i Brendshëm.
Një tjetër porosi e tij ishte rritja e pranisë policore në pikat kufitare të vendit në këto ditë festive. Misioni është identifikimi dhe kapja e personave që janë në kërkim.
“Kërkohet që të shtohen shërbimet e policisë në pikat kufitare. Vëmendja e shtuar duhet të jetë ndaj personave në kërkim, apo atyre që janë me precedentë kriminale”, tha Lleshaj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



