Drejtësia

Dënimi i Irena Gjokës në Greqi, Berisha sulmon KLGJ: Më kriminelë se vetë gjyqtarja

Gazeta Si – Nga SPAK, ku zbatoi masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, Sali Berisha, vazhdoi akuzat ndaj gjyqtares Irena Gjoka dhe komentoi vendimin e KLGJ, që nuk pranoi të shqyrtonte çështjen e gjyqtares së posaçme, e cila rezulton e dënuar në Greqi për falsifikim dokumentesh.

Berisha, teksa i lexoi me emra anëtarët e KLGJ që votuan të mos pranojnë kërkesën për nisjen e procedurave, i konsideroi ata më kriminelë sesa Irena Gjoka.

“KLGJ me votat e Yllka Rupës, Ridvan Hados, Markelian Koça, Emona Muçi, Klodian Kurushi dhe kreut të tij Ilir Rusi me 6 vota vendosën mos pranimin e nisjes së procedurave për verifikimin dhe shpalljen e papajtueshmërisë së mandatit me famozen Irena Gjoka. Këta janë me kriminelë se vetë Irena, këta janë turpi i zyrtarit. Janë skllevër të këtij regjimi dhe të Edi Ramës”, u shpreh Berisha.

Berisha akuzoi Gjokën për mashtrim, duke thënë se nuk kishte treguar të vërtetën kur ishte pyetur nëse ishte dënuar më parë.

Duke e quajtur “rrugaçe të ligjit”, Berisha tha se Gjoka ishte keqpërdorur nga kryeministri Edi Rama për të sulmuar opozitën.

Po ashtu ai denoncoi se Irena Gjoka është e përfshirë në dosjen e Ergys Agasit, ku sipas tij, ajo ka hyrë e ka dalë në zyrën e tij.

“Sa për dijeni Irena me 5 mbiemra është një shoqe në shpirt me Lindën e Surrelit, përveç se këshilltare e Ergys Agasit. Besoj i keni parë videot në dosjet e Ergys Agasit, sesi serbezja hyn dhe del në zyrën mafioze të Agasit”, deklaroi ndër të tjera Berisha.

Sipas Berishës, Irena Gjoka me 5 mbiemra, është, “njeriu që amnistoi krimin zgjedhor, si mercenar i Partisë Shtet, i rikujtoj se drejtësia vonon por nuk harron. Kush e do këtë ta ketë në arkivën e vet të denoncimit të një delikuenti, të narkoshtetit shqiptar. Tani e kuptoni vetë ju që këtu, nuk mund të ketë çështje tjetër përveç faktit, vendimit të të famshmit KLGJ, por para se të ndalem në këtë vendim, e kuptoj se ju prisni t’ju rrëfej se çfarë pashë brenda unë gjatë këtij kalimi të shkurtër”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë