Gazeta Si – KLGJ vendosi që me shumicë votash të mos pranojë nisjen e procedurave për verifikimin e gjyqtares Irena Gjoka, pas raportit të Prokurorisë së Përgjithshme se nuk kishte deklaruar në formular një dënim në vitin 2005 në Greqi për falsifikim vize.
Shumica e anëtarëve u shprehën se çështja duhet t’i kalojë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për hetim të mëtejshëm.
Prokuroria ka kryer hetime të thelluara mbi vendimin penal të Gjokës në Greqi dhe konstatoi se dokumenti i dënimit është i saktë dhe i vlefshëm për t’u shqyrtuar në kuadër të procedurës së verifikimit të statusit të gjyqtares.
Para pak ditësh, organi i akuzës ia konfirmoi KLGJ-së këtë fakt dhe i kërkoi institucionit që të shqyrtojë çështjen.
Shqyrtimi i sotëm i KLGJ ishte planifikuar për të analizuar dokumentacionin dhe për të vlerësuar nëse gjyqtarja plotëson kriteret ligjore për të vijuar detyrën në sistemin gjyqësor shqiptar.
Megjithatë, me shumicë votash, anëtarët e KLGJ vendosën që shqyrtimi i mëtejshëm të bëhet nga ILD, duke argumentuar se diskutimi mbi papërshtatshmërinë e gjyqtares lind, pasi ajo ka marrë tashmë statusin e magjistrates.
Sipas vendimit, ILD do të kryejë hetimin fillestar, dhe më pas do të vlerësohet nëse çështja duhet të kthehet tek KLGJ për të marrë në konsideratë ndërprerjen e statusit të gjyqtares.
Një javë më parë, Gjoka, në një letër dërguar Këshillit të Lartë Gjyqësor parashtronte argumentet kundër verifikimit të thelluar nga Prokuroria e Përgjithshme, sipas së cilës, vendimi i gjykatës greke në vitin 2005 për të është autentik. Ajo insiston se nuk ka pasur dijeni as për procesin dhe as për vendimin gjyqësor.
Rrëfimin e saj për këtë përplasje, Gjoka e nis që nga viti 2002, ku asaj i është refuzuar hyrja në territorin grek për dy herë radhazi, për ta kaluar më pas në procesin gjyqësor në Janinë në vitin 2005.
“Nuk jam njoftuar asnjëherë për procesin hetimor të zhvilluar ndaj meje. Nuk më është njoftuar akuza, nuk jam marrë kurrë në pyetje as në prokurori, as në polici, nuk jam njohur me përfundimin e hetimit apo me kërkesën për gjykim dhe me asnjë akt apo vendim tjetër të kryer gjatë procesit hetimor ndaj meje”, lexohet në letrën e Gjokës.
Verifikimi ndaj gjyqtares Irena Gjoka që ka mbajtur edhe mbiemrat Shpata dhe Maneku nisën më 8 maj 2024, me kërkesë të Këshillit të Lartë Gjyqësor, pas denoncimeve publike të ish-kryeministrit Sali Berisha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



