Drejtësia

Seanca ‘maratonë’ në GJKKO, Ilir Meta përplaset me prokurorin e SPAK

Gazeta Si – Pas rreth 8 orësh debate dhe tension, ka përfunduar rreth orës 18:00 të mbrëmjes së kësaj të enjteje seanca paraprake për ish-presidentin Ilir Meta dhe të tjerët, ku SPAK nuk ka arritur të lexojë të gjithë parashtrimet e kërkesës për kalimin e dosjes në gjykim.

Gjatë seancës, SPAK ka arritur të lexojë rreth 130 faqe nga materiali i prezantuar, ndërsa mbeten edhe rreth 100 faqe të tjera që do të shqyrtohen në seancën e ardhshme.

Procesi i gjatë po zhvillohet në prani të avokatëve të mbrojtjes dhe të pandehurve, si pjesë e hetimeve për çështjet që lidhen me aktivitetin e ish-presidentit.

Më herët, avokati mbrojtës i Ilir Metës, Kujtim Cakrani, për mediat ka bërë me dije për një përplasje mes Metës dhe prokurorit të Posaçëm Sotir Kllapi, me pretendimin se ky i fundit nuk ka qenë i saktë në ato që ka relatuar.

Cakrani tha se do të kërkohet pushimi i dy çështjeve, ajo e lobimit dhe CEZ-DIA, ndërsa akuzat për deklarim të rremë të pasurisë apo mosdeklarimi, i ka marrë përsipër Monika Kryemadhi.

SPAK mbylli hetimet më 28 korrik, ndërsa dosjen e kaloi për gjykim në fund të gushtit. Hetimi përfshin tre çështje të bashkuara në një dosje: aferën CEZ-DIA, lobimin e LSI-së në SHBA dhe hetimin pasuror.

Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi akuzohen për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie. Pirro Xhixho akuzohet për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë, të kryer në bashkëpunim, ndërsa Fatime Kryemadhi për pastrim parash, së bashku me Ema Çokun. Për Monika Kryemadhin është vendosur masa e sigurisë “detyrim paraqitje”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë