Drejtësia

Balluku kundërshton në Gjykatën e Lartë bllokimin e pasaportës nga GJKKO

Gazeta Si – Zv.kryeministrja, Belinda Balluku, ka kundërshtuar masën e “ndalimit të daljes nga shteti” në Gjykatën e Lartë, duke ankimuar vendimin e Apelit të GJKKO-së, që la në fuqi këtë masë.

Po ashtu bëhet e ditur se për masën e “pezullimit nga detyra”, zv.kryeministrja duket se nuk ka ngritur pretendime, për shkak se Apeli nuk vendosi për këtë masë, derisa të shprehet Gjykata Kushtetuese.

Këto dy masa ishin vendosur nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, për shkak të hetimeve ndaj Ballukut lidhur me tenderat për Tunelin e Llogarasë dhe ndërtimin e loteve të Unazës së Madhe.

Por pas padisë së Kryeministrit Edi Rama, Gjykata Kushtetuese e riktheu zëvendëskryeministren në detyrë. Më 16 dhjetor, SPAK, kërkoi leje nga Kuvendi për ta arrestuar Ballukun, me elementë të rinj hetimor ndaj saj, duke vënë në dijeni deputetët se është në hetim për 7 lote të Unazës së Tiranës dhe e dyshuar për 3 tenderë të tjerë, përfshirë koncesionin e rrugës Thumanë-Kashar.

Kërkesa e SPAK për arrestimin e numrit 2 të qeverisë ka mbetur ende pezull në sirtarët e Kuvendit. Ditën e mërkurë, 28 janar, në orën 12:00 ishte parashikuar që të mblidhej Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, ku do të shqyrtohej kërkesa e SPAK, por Kuvendi njoftoi shtyrjen e mbledhjes pa afat.

Kjo lëvizje vjen ndërsa Gjykata Kushtetuese ende nuk ka dalë me një vendim për rastin Balluku, pas shqyrtimit të ankimit të qeverisë. Kushtetuesja është shprehur se i duhet më shumë kohë për të marrë një vendim.

Sipas qeverisë, kjo masë ka shkaktuar mosmarrëveshje të kompentencave mes ekzekutivit dhe prokurorisë dhe Gjykatës së Posaçme dhe kërkon zgjidhjen nga Gjykata Kushtetuese.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë