Biznes

Rama: Mbështetje për produktet ‘Made in Albania’, bizneset të fokusohen te cilësia, jo sasia

Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama prezantoi platformën e re ExportOn, një nismë e fokusuar në mbështetjen e eksporteve dhe produkteve “Made in Albania”.

Sipas tij, këto prodhime janë markë cilësie dhe një pasaportë për rrugën e integrimit në BE dhe tha se qeveria do të mbështesë bizneset që do të synojnë marrjen e kësaj ‘pasaporte’.

Ai theksoi rëndësinë e përshtatjes së bizneseve me standardet europiane dhe rritjen e vlerës së ekonomisë përmes cilësisë dhe jo sasisë.

“‘Made in Albania’ është një markë cilësie dhe një pasaportë për BE.

Ne do të mbështesim fuqimisht ata që do e synojnë marrjen e kësaj pasaporte, duke hequr dorë nga ideja se konkurrenca me çmim të ulët mund t’i çojë larg dhe duke u fokusuar me standarde të certifikuara nga BE, për të synuar fitim përmes vlerës së krijuar, në cilësi dhe jo sasisë. Mbështetja direkte që do të japim për certifikimet ndërkombëtare, ne e shohim si investim strategjik të shtetit, jo për t’i kursyer disa lekë, por për ta ndihmuar biznesin të integrohet më shpejt BE-së. Ashtu sikundër, edhe për të mbrojtur markën dhe pronësinë intelektuale të çdo prodhimi. Besojmë shumë tek manifaktura, te ata që po ecin në rrugën e transformimit dhe krijimin e vlerës së shtuar, duhet të bëjmë më shumë në ndihmë të sipërmarrjeve që do përfaqojnë transformimin.”, theksoi ai.

Rama shtoi se një nga sfidat kryesore janë barrierat dhe problemet logjistike që ngadalësojnë eksportuesit, duke rritur kostot e transportit.

“Duhet të shkojmë përpara pa humbur kohë me burokracinë e doganave, duke mbështetur çdo proces te digjitalizimi,” theksoi ai.

Rama gjithashtu vuri në dukje se agro-përpunimi është prioritet i qeverisë. Ai u shpreh se Shqipëria ka nevojë për një rrjet të mirë-organizuar të agro-përpunimit.

“Kush i beson inovacionit dhe teknologjisë, ka fituar. Besojmë shumë tek manifraktura dhe për të krijuar më shumë vlerë të shtuar, do bëjmë më shumë për sipërmarrjet, që përqafojnë sfidën e transformimit. Agro-përpunimi është diçka që e kemi vendosur si prioritet në listën tonë të punëve. Kemi në fokus edhe agro-përpunimin, sepse duam rrjet të konsiliduar të agro-përpunimit. Duhet të investojmë në burime njerëzore, sepse në burime njerëzore investohet sot, por ka shumë vlerë në të ardhmen”, deklaroi Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë