Drejtësia

Akt-ekspertimi i ‘faksit për Shkëlzenin’, GJKKO rrëzon kërkesën e Fatmir Mediut

Gazeta Si – Gjykata e Posaçme refuzoi kërkesën e ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, për kryerjen e një akt-ekspertimi daktilografik të shënimit “Për Shkëlzen Berishën”, në një faks të paraqitur si provë nga SPAK në dosjen “Gërdeci”.

Në seancë avokatët e ish-ministrit të akuzuar për “shpërdorim të detyrës” pretenduan se në aktet e dosjes të vënë në dispozicion gjykata, mungojnë 40 akte shkresore të referuara nga prokuroria.

Për t’ju vënë në dispozicion mbrojtësve këto materiale, gjykata shtyu seancën për në 10 shkurt.

Në provat e SPAK, pjesë është dhe faksi i nisur nga zyra e ish-ministrit të Drejtësisë së asaj kohe, Aldo Bumçi, në drejtim të Ministrisë së Mbrojtjes, për hapjen e fabrikës së demontimit të armëve në Gërdec, shkresë e cila mbante shënim emrin e Shkëlzen Berishës, ‘Për Shkëlzenin’, djali i kryeministrit të kohës, Sali Berisha.

I thirrur në dhjetor 2023 në SPAK për këtë çështje në cilësinë e dëshmitarit, Shkëlzen Berisha ka mohuar të ketë lidhje apo dijeni me këtë faks, që mban emrin e tij.

SPAK dyshon se faksi i vitit 2007, ku ishte shënuar emri i Shkëlzen Berishës, besohet se ishte dhënie mendimi aprovues nga Ministria e Drejtësisë, për projekt-vendimin e qeverisë të përgatitur nga Ministria e Mbrojtjes, për demontimin e municioneve në Gërdec.

Ministria e Drejtësisë, me ministër asokohe, Aldo Bumçin ka qenë një nga organet kompetente për të gjithë praktikën e ndërtimit të fabrikës së armëve.

Dëshmia mbështetet nga ish-sekretarja e Aldo Bumçit dhënë para prokurorëve, e cila ka pranuar më herët se Shkëlzeni ka shkuar në zyrë, e më pas Aldo Bumçi ka përcjellë porosinë për tek zyra private e Shkëlzenit në Ministrinë e Mbrojtjes. 

Faksi është sekuestruar nga Prokuroria në materialet e gjetura pas tragjedisë në Ministrinë e Mbrojtjes. Për këtët, SPAK gjithashtu ka kërkuar që në pyetje të merret dhe Anjola Agolli, ish-sekretare e ministrit të Drejtësisë, Aldo Bumçi.

Për këtë tragjedi prokuroria dërgoi 28 të pandehur në gjykatë, mes tyre edhe Mihal Delijorgjin, president i shoqërisë “Albademil”, Ylli Pinari, drejtor i kompanisë MEICO dhe Dritan Minxholli, administrator i fabrikës, të cilët janë liruar nga burgu pas kryerjes së dënimeve përkatëse.

Në shkurt 2013, Gjykata e Apelit reduktoi me 1/3 dënimin e dhënë nga Gjykata e Tiranës për tre të pandehurit kryesorë të dosjes “Gërdeci”.

Ndërsa vijon gjyqi ndaj Fatmir Mediut, aktualisht kryetari i Partisë Republikane dhe deputet në Parlament. Ai i ka mohuar të gjitha akuzat, duke e cilësuar çështjen si të motivuar politikisht.

Mediu akuzohet për “shpërdorim detyre” dhe shpërdorim detyre” në kuadër të zinxhirit komandues ushtarak në lidhje me çmontimin e municioneve në punishten e Gërdecit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë