Gazeta Si – Prokuroria e Korçës ka nisur hetimet për veprën penale “shpërdorim detyre” sa i takon rastit të dy punonjëseve të postës shqiptare në Bilisht, të cilat dyshohet se kanë vjedhur fondet e postës për pensionistët që jetojnë jashtë vendit.
Sipas hetimeve, del se vjedhjet janë kryer gjatë periudhës tetor 2025-janar 2026. Prokuroria nuk jep detaje mbi shifrën e vjedhur duke u mjaftuar me përcaktimin se bëhet fjalë për dëm ekonomik të konsiderueshëm, por policia njoftoi 10 ditë më parë se flitet për një shumë prej 22 milionë lekë të reja.
Kështu, 29-vjeçarja, P.Sh., përgjegjëse në Zyrën Postare Vishocicë dhe E.Ç., 27 vjeçe, arkëtare në Degën Postare Bilisht, firmosnin mandatet jashtë ambienteve të zyrës postare pa shuma konkrete.
Ndaj dy punonjëseve është caktuar masa e sigurisë “arrest shtëpie”, të akuzuara për “vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën”, e kryer në bashkëpunim.
Sipas Prokurorisë, hetimi nisi pas një kontrolli të brendshëm administrativ, gjatë të cilit u konstatuan mospërputhje të theksuara financiare mes gjendjes faktike të arkës, dokumentacionit financiar justifikues dhe të dhënave të pasqyruara në sistemin elektronik financiar.
Prokuroria thekson se këto veprime janë realizuar përmes manipulimit të mandateve të pagesave, ndërhyrjeve në të dhënat e sistemit financiar, si dhe administrimit të parregullt të dokumentacionit kontabël, duke sjellë pasoja të rënda financiare.
Në njoftimin zyrtar evidentohet se materiali hetimor i administruar deri në këto momente ka zbuluar një sërë shkeljesh serioze, si:
– pasqyrim i rremë i të dhënave financiare,
– firmosje mandatesh jashtë ambienteve të zyrës postare,
– firmosje mandatesh pa shënuar shumat përkatëse,
– mospërputhje mes shumave të dorëzuara realisht dhe atyre të pasqyruara në dokumente,
– si dhe mosmbajtje e rregullt e librit të arkës, përfshirë edhe grisje të faqeve të tij.
“Si pasojë e këtyre veprimeve dyshohet se është shkaktuar një dëm ekonomik me vlerë të konsiderueshme, i cili aktualisht po i nënshtrohet ekspertimit financiar”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



