Drejtësia

Kërkon lirimin nga qelia, Kushtetuesja kalon në seancë çështjen ndaj Veliajt

Gazeta Si – Gjykata Kushtetuese ka vendosur të kalojë për shqyrtim në seancë plenare ankimin e kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, kundër masës “arrest me burg”, e ekzekutuar në 10 shkurt 2025 për akuzat e korrupsionit, pastrimin të parave dhe fshehjes së paurisë.

Vendimi është marrë nga Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, të cilët kanë përcaktuar se çështja do të analizohet mbi bazën e dokumentacionit të depozituar, pa zhvilluar seancë dëgjimore publike. Në këtë mënyrë, trupa gjyqësore do të vlerësojë nëse vendimet e dhëna nga gjykatat e zakonshme janë në përputhje me Kushtetutën dhe standardet ndërkombëtare për lirinë personale.

Veliaj iu drejtua Gjykatës Kushtetuese në nëntor të vitit të kaluar, pasi kishte shteruar të gjitha mjetet e ankimit në sistemin gjyqësor.

Në kërkesën e tij, ai argumenton se masa e arrestit në burg është e pajustifikuar dhe joproporcionale, duke cenuar të drejtën themelore për liri dhe parimin e procesit të rregullt ligjor.

Në përfundim të procesit, pritet që Gjykata Kushtetuese të vendosë nëse do të pranojë ose jo kërkesën për shfuqizimin e arrestit në burg.

Javën e kaluar, Veliaj paditi në Gjykatën Administrative Presidencën dhe prokurorin e SPAK, Olsi Dado, me pretendimin se ai është bërë prokuror pa mbaruar Shkollën e Magjistraturës, duke kërkuar shkarkimin e tij nga detyra.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë