Menaxhim

‘Simbol i pisllëkut’- Shkrihet Kadastra e Vlorës, dosjet i merr Tirana

Nga Gazeta ‘SI’ – Drejtoria Vendore e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Vlorë është shkrirë duke i kaluar të gjitha dokumentacionet drejtorisë qendrore në Tiranë.

Vendimi është marrë nga drejtoresha e përgjtihshme e ASHK-së, Lorena Goxhobelli dhe hyn në fuqi më 1 shkurt, datë nga e cila Vlora nuk do të ketë më një strukturë vendore të Kadastrës

Gjithsesi, shkrirja nuk është një vendim surprizë.

Në gjashtë vitet e fundit, kjo drejtori ka ndërruar më shumë se 11 drejtues dhe ka qenë shpesh në qendër të skandaleve të abuzimit dhe korrupsionit.

Gjatë verës së vitit të shkuar, vetë kryeministri Edi Rama e sulmoi publikisht Kadastrën e Vlorës, duke e quajtur “simbol të pisllëkut dhe korrupsionit”. Ai theksoi se aty janë punësuar njerëz që nuk kanë lidhje me fushën, duke i cilësuar si “ujqër”.

Problemet nuk kanë qenë thjesht deklarative. Në vitin 2023, Kadastra e Vlorës u bë subjekt hetimi nga SPAK për parregullsi në regjistrat e pronave dhe abuzime nga drejtuesit. Vlora, ashtu si Durrësi, njihet si qyteti me problematika të thella të pronësisë, veçanërisht në bregdet.

Një shkrirje e ngjashme ndodhi me Kadastrën e Durrësit në vitin 2022, pas konflikteve të shumta mbi pronat bregdetare, përfshirë edhe atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoji. Hetimet zbuluan se punonjës të Kadastrës ndërhynin në regjistrat e pronave për të ndryshuar pronarët në përputhje me kërkesat e grupeve kriminale, përfshirë bandën e Avdylajve dhe Aleksandër Lahon, i njohur si “Rrumi” i Shijakut.

Të gjitha këto dosje dhe skandale detyruan qeverinë të nisë procesin e digjitalizimit të Kadastrës, një nismë që megjithatë mbetet ende në tentativë, duke lënë pas probleme të trashëguara të menaxhimit dhe kontrollit të pronësisë në qytetet bregdetare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë