Ekonomi

Parashikimi i qeverisë/ Jo ndërtimi, por shërbimi shtylla e ekonomisë. Punësimi në vendnumëro

Nga Gazeta ‘SI’ –  Sipas projeksioneve të qeverisë për tre vitet e ardhshme, struktura e rritjes ekonomike pritet të mbështetet kryesisht te sektori i shërbimeve, me një rritje mesatare vjetore prej 5.4%.

Ky orientim konfirmon zhvendosjen graduale të ekonomisë nga ndërtimi, që parashikohet të hyjë në një fazë ngadalësimi. Pas viteve me ritme të larta rritjeje, ndërtimi parashikohet të rritet mesatarisht me 3.1% në vit. Industria pritet të shënojë një rritje më modeste, rreth 2.6% në vit, ndërsa për bujqësinë duket se shpresat janë tharë dhe parashikohet një rritje vjetore prej vetëm 0.2%, çka tregon mungesë reformash strukturore dhe produktivitet të ulët.

Për punësimin, projeksioni i qeverisë nuk është aspak optimist.

Ministria e Financave parashikon një punësim “të paktën, jo negativ”, pra një rritje e papërfillshme prej 0.2%. Këto pritje të zymta për tregun e punës lidhen kryesisht me vazhdimin e emigrimit dhe me presionet demografike, të cilat do të vazhdojnë të kufizojnë ofertën e fuqisë punëtore, argumenton MF.

Nga ana e kërkesës, qeveria parashikon një rritje mesatare vjetore të investimeve prej 4.9%, ndërsa konsumi final pritet të rritet me rreth 2.9% në vit.

Në planin e jashtëm, eksportet e mallrave dhe shërbimeve për periudhën 2027–2029 parashikohen të rriten mesatarisht me 4.6% në vit në terma realë. Ndërkohë, importet pritet të zgjerohen me një ritëm më të ulët, rreth 3% në vit.

Në tërësi, PBB-ja e Shqipërisë pritet të rritet me 4% në vitin 2026 dhe 3.9% për periudhën 2027-2029, pa asnjë progres nga vitet e fundit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë