Nga Gazeta ‘SI’ – Anketa e vitit 2025, kryer nga Këshilli i Investimeve në vend, tregon se informaliteti mbetet “thembra e Akilit” në sipërmarrjen shqiptare.
Sipas gjetjeve, informaliteti mbetet i lartë dhe i qëndrueshëm, pavarësisht masave. Në vitin 2025, rreth 8 nga 10 kompani deklarojnë se përballen me konkurrencë nga aktivitete informale në sektorin ku operojnë. Ky perceptim ka qenë relativisht i qëndrueshëm që nga viti 2018, me një mesatare prej gati 7 nga 10 kompani që raportojnë konkurrencë informale, çka nënvizon presionin e vazhdueshëm që informaliteti ushtron mbi bizneset formale.

Bizneset shprehen se korrupsioni është faktori kryesor i nxitjes së informalitetit dhe konkurrenca pandershme. Forma më e zakonshme e informalitetit është evazioni fiskal 57%, mosregjistrimi i aktivitetit 49% dhe puna në të zezë, 52%.

Ndërsa sipërmarrjet bëjnë thirrje për një komunikim më efikas institucional, 59% e tyre, në 2025, mendojnë se komunikimi me administratën tatimore është përmirësuar, tregues ky në rritje krahasuar me periudhat 2019/2024; edhe pse më i ulët se perceptimi i bizneseve në vitin 2018.
Sipas Këshillit të Investimeve, bizneset perceptojnë klimën e biznesit në Shqipëri si të ndikuar kryesisht nga tre elementë kritikë: Efikasiteti i sistemit gjyqësor dhe mbrojtja e të drejtave; Niveli i korrupsionit dhe transparenca institucionale; Cilësia dhe kostot e fuqisë punëtore. Përmirësimi i këtyre elementëve është kritik për të përmirësuar klimën e biznesit dhe për të tërhequr investime të qëndrueshme, argumenton KI.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



