Drejtësia

Trafikuan 2.4 ton drogë drejt Europës, Apeli lë në burg 6 anëtarët e grupit Rraja

Nga Gazeta ‘Si’- Apeli i Posaçëm ka lënë në fuqi masat e sigurisë masën e sigurisë “arrest me burg” për 6 prej pjesëtarëve të grupit Rraja, mes tyre dhe djali i ish-deputetit të Partisë Socialiste, Rexhep Rraja.

Islam Sefa, Jani Çavo, Aldo Gjini, Marvin Bushati, Përparim Rraja, Gazmir Rraja, Rexhep Rraja, Zamir Aliaj u arrestuan me urdhër të SPAK në dhjetor të dyshuar se 5 vitet e fundit kanë trafikuar drogë në vlera miliona euro nga Shqipëria drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

Sipas SPAK, grupet kanë trafikuar drogë nga Shqipëria drejt Malit të Zi me destinacion final Gjermaninë, nga Shqipëria drejt Turqisë si edhe nga vendet e Amerikës së Jugut drejt vendeve të BE-së.

SPAK zbardhi edhe tre episode droge nga vitet 2020-2021.

I pari, më datë 3 nëntor 2020, gjatë të cilit autoritetet e Malit të zi sekuestruan 1722 kg bimë narkotike marijuanë që ishte nisur nga Shqipëria me destinacion Gjermaninë. Episodi i dytë është shënuar më 23 nëntor po të vitit 2020, ku u sekuestruan në Holandë 475 kg kokainë që ishte dërguar nga Ekuadori në Portin Vlissingen. 

Ndërsa episodi i tretë është shënuar në datë 26 janar 2021, ku në Turqi u sekuestruan 236 kg marijuanë që ishte nisur nga Shqipëria.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë