Gazeta Si – Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, GJKKO, ka pushuar çështjen ndaj ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, i cili po hetohej për shpërdorim detyre në lidhje me dyshimet për transferimet e punonjësve të policisë në Berat.
SPAK tha se nuk gjeti prova për kryerjen e veprës penale për të cilën u bë kallëzimi penal ndaj tij. Në nëntor të vitit të kaluar, Rrumbullaku është pyetur si person në dijeni për rreth një orë në Prokurorinë e Posaçme për hetimin që kishte të bënte me këtë çështje,
Hetimi kishte nisur më herët nga Prokuroria e Beratit, por dosja u transferua në SPAK për shkak të kompetencës. Bëhet fjalë për 20 transferime në radhët e uniformave blu që u dyshua se ishin kryer në shkelje të ligjit.
Muhamet Rrumbullaku u emërua në krye të Policisë së Shtetit më 7 shtator 2022, ndërsa zëvendësoi në këtë post Gledis Nanon, i cili u shkarkua nga kjo detyrë.
Ndërsa në 5 shtator 2024, Rrumbullaku i ka dorëzuar ish-ministrit të Brendshëm, Ervin Hoxha dorëheqjen e tij.
Më parë, Rrumbullaku ka qenë drejtues i SHÇBA-së, e transformuar në Agjenci të Mbikëqyrjes Policore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



