Njerez

Fëmijët me aftësi të kufizuara pa mbështetje psiko-sociale në shkollë: Nuk zbatohet ligji

Nga Gazeta Si- Mbi 4 mijë e 500 nxënës me aftësi të kufizuara ndjekin shkollën pa mbështetjen minimale psiko-sociale, pavarësisht se kjo është e garantuar me ligj. Të dhënat e auditimit nga KLSH për vitin shkollor 2023–2024 tregojnë nxënësit me aftësi të kufizuara nuk marrin asnjë formë të strukturuar shërbimi psiko-social, një situatë që vë në pikëpyetje funksionimin e arsimit gjithëpërfshirës në vend.

Sipas ligjit, institucionet arsimore janë të detyruara të shtojnë një punonjës psiko-social për çdo 10 nxënës me aftësi të kufizuara. Megjithatë, auditimi evidenton se ky standard nuk zbatohet në praktikë. 50 Zyra Vendore të Arsimit Parauniversitar (ZVAP), ndonëse kanë mbi 10 nxënës me aftësi të kufizuara, nuk kanë të punësuar asnjë punonjës shtesë të shërbimit psiko-social, siç parashikohet në aktin nënligjor.

Mbështetje e pjesshme dhe jo profesionale

Në mungesë të specialistëve, mbështetja për nxënësit me aftësi të kufizuara mbetet e fragmentuar dhe jo e specializuar. Në shumicën e rasteve, ajo realizohet nga mësues ndihmës apo mësues të klasës, të cilët, ndonëse përpiqen të plotësojnë boshllëkun, nuk kanë formimin e nevojshëm për të ofruar ndërhyrje psiko-sociale të strukturuara.

Kjo situatë cenon drejtpërdrejt jo vetëm mirëqenien emocionale dhe sociale të fëmijëve me aftësi të kufizuara, por edhe përfshirjen e tyre reale në procesin mësimor, duke i ekspozuar ndaj rrezikut të izolimit, stigmatizimit dhe dështimit shkollor.

Arsimi gjithëpërfshirës, vetëm në letër

Ligji nr. 69/2012 “Për sistemin arsimor parauniversitar” parashikon qartë garantimin e mbështetjes psiko-sociale për nxënësit, veçanërisht për kategoritë vulnerabël. Megjithatë, gjetjet e auditimit tregojnë se arsimi gjithëpërfshirës për fëmijët me aftësi të kufizuara mbetet kryesisht deklarativ.

Mungesa e burimeve njerëzore, planifikimi jo i duhur dhe moszbatimi i akteve nënligjore kanë krijuar një realitet ku ligji ekziston, por nuk përkthehet në shërbim konkret për fëmijët që kanë më shumë nevojë për të.

Për shumë fëmijë me aftësi të kufizuara, punonjësi social është figura kyçe që mund të ndërmjetësojë mes fëmijës, familjes dhe shkollës, të identifikojë shenja ankthi, traume apo bullizimi dhe të parandalojë përjashtimin e heshtur nga sistemi arsimor.

Mungesa e këtij shërbimi nuk është thjesht një problem administrativ, por një problem që rrezikon të thellojë pabarazitë dhe të mohojë të drejtën për arsim cilësor dhe dinjitoz për mijëra fëmijë me aftësi të kufizuara.

Gjithashtu, mbulimi i shkollave me punonjës psiko-social mbetet i pabarabartë në nivel kombëtar.

Pavarësisht rritjes së numrit të punonjësve psiko-socialë, në disa ZVAP, si Finiq–Dropull, mungon plotësisht stafi psiko-social, ndërsa në zona të tjera si Selenicë dhe Tepelenë – Memaliaj, një punonjës mbulon përkatësisht 18 dhe 14 shkolla. Në ZVAP Bulqizë dhe Dibër, një punonjës mbulon deri në 3.2 shkolla, në tejkalim të ndjeshëm të mesatares kombëtare prej 1.7 shkolla për punonjës. Kjo mbingarkesë është veçanërisht e theksuar në zonat rurale, malore dhe me popullatë të shpërndarë, duke kufizuar ndjeshëm aksesin e nxënësve në mbështetjen psiko-sociale dhe duke ndikuar negativisht në cilësinë dhe barazinë e shërbimit arsimor.

Të dhënat e auditimit evidentojnë se, për vitin shkollor 2023-2024 rreth ¼ e shkollave në rang vendi nuk kanë pasur shërbim psiko-social dhe rreth 92,991 nxënës nuk kanë marrë mbështetjen e nevojshme psiko-sociale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë