Drejtësia

Seanca në Kushtetuese për Ballukun, qeveria: GJKKO nuk ka të drejtë të pezullojë një ministër

Gazeta Si – Prej orës 10:00 të kësaj të enjteje po mbahet në Gjykatën Kushtetuese seanca publike pas ankimimit të kryeministrit Edi Rama për të zgjidhur konfliktin e kompetencave të vendimit të GJKKO-së për zv/kryeministren Belinda Balluku, e marrë e pandehur nga SPAK për abuzim me tenderin e Tunelit të Llogarasë.

Seanca me relator Sandër Becin, po zhvillohet pa praninë e zv.kryeministres, pasi ajo nuk është palë në këtë çështje.

Këshilli i Ministrave po përballet me dy prokurorët e SPAK, Dritan Prençi dhe Dorina Bejko. Si palë të interesuara, kanë dërguar përfaqësues edhe Presidenca dhe Kuvendi.

Ndërkohë, GJKKO nuk ka dërguar përfaqësues me argumentin se pjesëmarrja e tyre si palë do cenonte parimin e ndarjes së pushteteve

Përfaqësuesja ligjore e qeverisë, Irma Qosja

Qeveria: Vendimi i GJKKO-së, në kundërshtim me Kushtetutën

Përfaqësuesja e qeverisë, Irma Qosja, sqaroi se kërkesa për pezullimin e vendimit nga Këshilli i Ministrave, ka të bëjë me marrëdhënien mes tre pushteteve dhe nëse Gjykata Penale ka të drejtë të pezullojë një ministër njësoj siç mund të pezullojë çdo zyrtar tjetër të pushtetit ekzekutiv.

“Kërkesat kanë të bëjnë me marrëdhënien mes tre pushteteve dhe në thelb të këtyre kërkimeve qëndron pyetje. A ka të drejtë Gjykata Penale të pezullojë nga detyra një ministër njësoj siç mund të pezullojë çdo zyrtar tjetër të pushtetit ekzekutiv? Ne vlerësojmë që jo, megjithatë argumentet për këtë i përkasin themelit të çështjes”, tha Qosja.

Ajo tha se vendimi i GJKKO-së është në kundërshtim me Kushtetutën.

“Në mbështetje të të gjitha argumentave të parashtruara, arrijmë në konkluzionin që dy vendimet e GJKKO, 119 dhe 120 për pjesën e vendosjes së masës ndaluese për pezullimin e ushtrimit të detyrës të zv. Kryeministres dhe Ministrit të Infrastrukturës, si dhe vazhdimin e zbatimit të kësaj mase, janë vendime të nxjerra në kundërshtim me kushtetutën dhe jurispudencën e Gjykatës Kushtetuese. Në këto kushte kërkojmë nga gjykata shfuqizimin pjesërisht të këtyre vendimeve si dhe pranimin e kërkesës sipas objektit”, tha ajo.

Përfaqësuesja e saj, tha se Këshilli i Ministrave është organi që i është pezulluar veprimtaria në një prej fushave të tij, fushën e infrastrukturës dhe energjisë.

“GJKKO duke pezulluar ministrin nga detyra, pezulloi jo vetëm vendimmarrjen e ministrit brenda ministrisë përkatëse, por edhe vendimmarrjen e Këshillit të Ministrave në atë fushë, sepse tashmë ministri i pezulluar nuk mund të propozojë asnjë projekt-akt në kompetencë të tij”, tha Qosja.

Përfaqësuesi i qeverisë në Gjykatën Kushtetuese, Herald Jonuzaj

Përfaqësuesi tjetër i qeverisë, Herald Jonuzaj duke iu përgjigjur pyetjeve të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese tha se zv/ministri e ka të ndaluar që të propozojë akte në Këshillin e Ministrave.

“Ligji parashikon që aktet propozohen vetëm nga ministri”, tha ai. Më tej ai bëri me dije se nga momenti që Gjykata Kushtetuese hoqi pezullimin nga detyra të ministres Belinda Balluku, kanë qenë mbi 50 akte që kanë kaluar prej saj.

Gjatë seancës, gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Asim Vokshi i drejtoi disa pyetje përfaqësuesve të qeverisë.

“Ky është një terren kushtetues i pashkelur më parë dhe nuk gjejmë një praktikë të mëparshme të ketë trajtuar këtë lloj problematike”, tha ai.

Çshtja “Balluku”

Qeveria kërkon “zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës së krijuar ndërmjet Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave nga njëra anë dhe Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, nga ana tjetër, lidhur me pezullimin e ushtrimit të detyrës së anëtarit të Këshillit të Ministrave”.

Para nisjes së seancës, GJKKO njoftoi se nuk do të marrë pjesë, pasi vlerëson se “nuk mund të legjitimohet si palë në gjykimin kushtetues me kërkues Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë”.

Gjithashtu GJKKO thotë se “për sa kohë një çështje konkrete penale është e varur përpara juridiksionit gjyqësor të zakonshëm nuk mund të ndërhyhet nga autoritet të tjera shtetërore pa cenuar nenin 145 të Kushtetutës”. 

Numri 2 i qeverisë aktualisht është rikthyer në detyrë pas një vendimi të Kushtetueses, deri në shqyrtimin e plotë të ankimit të kryeministrit Rama dhe shpalljes së vendimit përfundimtar nëse do ta ‘lejojë’ ose jo precedentin e krijuar nga GJKKO me pezullimin e një anëtari qeverie.

Vendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese do të vijë në një kohë kur SPAK ka dorëzuar në Kuvend edhe kërkesën për autorizim për arrestimin e Ballukut.

Kjo lëvizje e SPAK erdhi menjëherë pasi Kushtetuesja e ktheu Ballukun në detyrë, ndërsa mbledhja e radhës e Këshillit të Mandateve është më datë 28 janar.

Belinda Balluku u pezullua nga detyra si zv/kryeministre dhe njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë më 20 nëntor, pas hetimeve për tenderin e Unazës së Madhe. Gjykata Kushtetuese e ka pezulluar këtë vendim deri në shqyrtimin e plotë të çështjes.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë