Drejtësia

Lamallari prezanton Kodin Penal: Ashpërsim dënimi për abuzimet seksuale, parkimin e dyfishtë e ndërtimet pa leje

Nga Gazeta Si- Korrigjimet në Kodin Penal ekzistues parashikojnë ashpërsimin e veprave penale me natyrë seksuale në raport me fëmijët, trafikimin e qenieve njerëzore apo shfrytëzimin e njeriut.

Ministri i Drejtësisë Besfort Lamallari ka prezantuar në Komisionin e Ligjeve paketën e ndryshimeve për Kodin Penal, që do të miratohet në javën pasardhëse.

Ashpërsime do të ketë për zaptimin e paligjshëm të tokës dhe ndërtimet pa leje, sidomos për zonat e mbrojtura. Rishikime do të ketë dhe për zjarrvënësit kur qëllimi është tjetërsimi i tokës.

“Ashpërsojmë veprat penale me natyrë seksuale në raport me fëmijët. Trafikimi i qenieve njerëzore, përjashtohet çdo justifikim me pëlqimin e viktimave. Zero tolerancë për shfrytëzimin e njeriut nga njeriu. Ashpërsohen ndjeshëm edhe dënimet për zënien e paligjshme të tokës dhe ndërtimet pa leje, sidomos në zonat e mbrojtura”, tha Lamallari, duke shtuar se dënime të ashpra do të ketë edhe për parkimin e dyfishtë.

“Dënohet parkimi i dyfishtë më shumë kur pengon mjetet e emergjencës”, thotë Lamallari.

Gjithashtu, projektligji forcon mbrojtjen e gazetarëve dhe lirinë e medias, duke përjashtuar përgjegjësinë penale për gazetarët që veprojnë me mirëbesim dhe në interes publik, ndërsa ashpërson ndëshkimet për dhunën dhe kërcënimet ndaj tyre.

Në përfundim, ministri e cilësoi paketën si një reformë të guximshme dhe të domosdoshme, që synon jo vetëm ndëshkimin e krimit, por edhe parandalimin dhe garantimin e sigurisë për qytetarët, duke ndërtuar një sistem penal modern dhe plotësisht të përputhshëm me standardet europiane.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë