Gazeta Si – Gjykata e Posaçme ka vendosur dënimin me 30 vite burg për Leonard Dukën për organizimin e vrasjes së ish-policit Santiago Malko në vitin 2019 në Tiranë, pas përplasjeve për hakmarrje mes grupit të tij dhe të Ervis Martinajt.
Ndërsa për vëllain e tij, Erlis Duka, gjykata shpalli pafajësi, pasi nuk u provua që ka kryer veprën penale. Ajo vendosi të heqë masën e sigurimit ndaj tij edhe për episode të tjera për të cilat akuzohej. Ndërkaq, me nga 25 vite burg u dënuan Fatmir Hyseni, Aleksandër Maxhaku dhe Oltian Loga.
Më herët, për vrasjen e Malkos, i njohur si krahu i djathtë i Erivs Martinajt, GJKKO, dënoi në një proces të ndarë me 26 vite burg, Ilir Selmanin, ndërsa Gjykata e Lartë riktheu për gjykim dosjen e Blendi Tetës, i dënuar fillimisht për këtë çështje me 25 vite burg.
Ata akuzohen për “vrasje me paramendim”, “armëmbajtje pa leje”, “trafik narkotikësh”, vepra këto të kryera në formën e grupit të strukturuar kriminal.
I akuzuar si një nga organizatorët e vrasjes së Santiago Malkos në gusht 2019 në Tiranë, Leonard Duka u ekstradua nga Belgjika vitin e kaluar, pas arrestimit po atje në 14 shkurt 2023.
Për vrasjen e Santiago Malkos vijojnë në kërkim Elis Duka, Fatmir Hyseni, Aleksandër Maxhaku dhe Oltion Logu.
Emri i Leonard Dukës doli dhe në dosjen e operacionit “Revanshi”, ku u zbardhën komunikime e biseda të zhvilluara në aplikacionin “Sky” dhe “Encrochat”.
Në këto biseda, Duka thurte plane për eliminimin fizik të Ervis Martinajt dhe lidhjeve të afërta të tij shoqërore, siç ishte Erigers Mihasi.
Mbi këto dyshime për Leonard Dukën, SPAK ka ngritur akuzën e sigurimit të kushteve të vrasjes në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Dhunimi i babait të vëllezërve Duka, dyshohet se është edhe shkaku i armiqësisë mes ish-miqve Duka-Martinaj, që kaluan më tej në konflikt të përgjakshëm.
Nga hetimet dhe dëshmitë, rezulton se Malko kishte rrahur babanë e vëllezërve Duka dhe situata kishte denigruar më tej, teksa ish-polici cilësohej si mbështetës i “mbretit të kumarit”, Ervis Martinaj, i cili rezulton i zhdukur prej 8 gushtit 2022 pa asnjë gjurmë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



