Nga Gazeta “Si” – Finalja e “Dakar 2026” ishte një nga ato momente tronditëse të sportit Botëror ku gjithçka ndryshon në një çast, si fitorja e Greg LeMond ndaj Laurent Fignon me vetëm 8 sekonda në “Tour de France 1989”, apo përmbysja e Manchester United në Finalen e “Champions League 1999” në minutat shtesë.
Luciano Benavides triumfoi ndaj Ricky Brabec me 2 sekonda diferencë, më e ngushta në historinë e rally-t, në një nga përmbysjet më dramatike që ka parë ndonjëherë Dakar, pas një gabimi navigimi vetëm 7 km nga vija e finishit.
“Red Bull KTM Factory Racing” shpërtheu në festë, ndërsa piloti amerikan i “Monster Energy Honda HRC”, që humbi mundësinë për një titull të tretë radhazi, e pranoi humbjen me dinjitet.
Argjentinasi fitoi rally-n e parë të karrierës së tij, duke iu bashkuar vëllait Kevin (fitues në 2021 dhe 2023) në historinë e garës.
Nasser Al-Attiyah shtoi një kapitull të ri në Legjendën e tij në kategorinë e makinave, duke fituar në Dakar për herë të 6-të.

Ai tashmë ndodhet mes Ari Vatanen (4 fitore) dhe Stéphane Peterhansel (8 fitore).
Gjithashtu i solli Dacia-s fitoren e parë në këtë “rally”, duke lënë pas Ford Raptors të Nani Roma-s dhe Mattias Ekström-it, ndërsa Sébastien Loeb përfundoi për herë të parë në karrierë jashtë podiumit.
Kevin Benavides e celebroi triumfin e vëllait të tij me një fitore të vetën në një etapë të kategorisë “Challenger”, por fituesi i fundit ishte spanjolli Pau Navarro, i cili dominoi duke marrë 23 minuta avantazh.
Në “SSV”, amerikani Brock Heger dhe Polaris, mbrojtën titullin me një orë diferencë ndaj Kyle Chaney-t dhe “Can-Am-it” të tij.
Vaidotas Žala triumfoi në garën e kamionëve, duke fituar titullin në përpjekjen e tij të dytë. Lituanezi mposhti Ales Loprais (+20’18”) dhe Mitch van den Brink (+20’03”).

247 mjete (nga 317 që nisën) kaluan vijën e finishit në Yanbu, prej të cilave 204 u nderuan me medalje: 90 motoçikleta (9 në “RallyGP” dhe 79 në “Rally2”), 133 makina (61 në “Ultimate”, 33 në “Challenger”, 32 në “SSV” dhe 7 në “Stock”) dhe 24 kamionë.
91 mjete figurojnë në Klasifikimin e Përgjithshëm të “Dakar Classic”, e cila u fitua nga lituanezi Karolis Raisys në pjesëmarrjen e tij të dytë.
Edicioni i tretë i “Dakar Future Mission 1000” vuri përballë peizazheve të Dakar-it 7 mjete me karburant alternativ.
Kamioni “KH7-Ecovergy” i Jordi Juvanteny-t fitoi për herë të 3 në këtë kategori, ndërsa biçikleta elektrike e Fran Gómez Pallas-it nga “Arctic Leopard Galicia Team” mposhti “Segway-n” e Benjamín Pascual-it në kategorinë me dy rrota.
Ata do të kenë një revansh në vitin 2027, kur priten të hyjnë në garë edhe pretendentë të tjerë.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



