Drejtësia

Dyshohet se fshehu dënimin në Greqi, Prokuroria i kërkon KLGJ-së të vendosë për Irena Gjokën

Gazeta Si – Prokuroria e Përgjithshme ka përfunduar verifikimet për gjyqtaren e posaçme Irena Gjoka, e akuzuar se ka gënjyer në formularin e vetëdeklarimit të Vettingut, ku dyshohet se ka fshehur një proces gjyqësor në Greqi për falsifikim dokumentash. 

Organi i akuzës nuk ka publikuar të dhëna për gjetjet përfundimtare të kontrollit të figurës së Irena Gjokës, por thotë se dokumentet janë dorëzuar në Këshillin e Lartë Gjyqësor që kërkoi një kontroll të dytë të figurës së saj.

Në njoftim thuhet se janë kryer verifikime brenda dhe jashtë vendit. Dokumentacioni i është përcjellë KLGJ-së për të vlerësuar nëse gjyqtarja është apo jo në kushtet e ndalimit për të mbajtur postin që ka sipas parashikimeve të ligjit të dekriminalizimit.

Gjoka ka qenë gjykatëse në disa çështje të bujshme kundër krerëve opozitës, të cilët e kanë akuzuar për njëanshmëri në qëndrimet e saj.

Prej kohësh, kryedemokrati Sali Berisha ka hedhur akuza të shumta në drejtim të gjyqtares Irena Gjoka ku dhe kërkon largimin e saj nga trupi gjykues i dosjes për aferën “Partizani”.

Berisha ka akuzuar gjyqtaren se ka ndërruar mbiemrin, nga Shpata në Gjoka dhe se është dëbuar nga Greqia për 12 vite nën akuzën e falsifikimit të dokumenteve.

Verifikimi nisi në vitin 2024 për gjyqtaren Gjoka pas publikimit për herë të parë të disa fakteve nga mediat greke për një urdhër dëbimi të dhënë nga policia e vendit fqinj.

Gazeta “Protothema” publikoi një vendim në të cilin pretendonte se gjyqtarja ka tentuar të futej në Greqi me datë 24 dhjetor 2002, nëpërmjet pikës kufitare Kakavijë, duke përdorur një vizë të falsifikuar konsullore.

Më pas, Gjokës, e cila në atë kohë kishte mbiemër tjetër, i është ndaluar hyrja në vendin fqinj. Ajo ka apeluar vendimin në Gjykatën e Athinës, e cila më pas ia ka kaluar për kompetencë Gjykatës së Janinës, e cila ka në zonën e saj, pikën doganore të Kakavijës.

Sipas medias greke, gjykata vendore e ka rrëzuar pretendimin e Irena Gjokës, duke lënë në fuqi urdhrin e dëbimit.

Ndërsa në maj të vitit 2025, Berisha publikoi një vendim ku thoshte se Irena Gjoka rezulton e dënuar në vitin 2005 me burg dhe gjobë dhe këtë nuk e ka deklaruar në formularin e vetëdeklarimit.

“Mbi bazën e kërkesës së Komisionit të Zhvillimit të Karrierës në Këshillin e Lartë Gjyqësor, më datë 08.05.2024 në Sektorin e Dekriminalizimit të Prokurorisë së Përgjithshme është regjistruar me nr.40 procesi per verifikimin e thelluar të deklarimeve të bëra në Formularin e Vetëdeklarimit date 22.04.2016, për subjektin Irena Gjoka (Shpata, Maneku), gjyqtare në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Pas kryerjes së të gjitha verifikimeve të mundshme brenda dhe jashtë vendit, më datë 19.01.2026, Prokuroria e Përgjithshme ka vendosur miratimin e rezultateve të verifikimit, vendim të cilin po këtë datë ja ka përcjellë Këshillit të Lartë Gjyqësor si organ përgjegjës për verifikimin e kushteve të ndalimit në zbatim të ligjit nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, dhe Vendimit të Kuvendit nr.17/2016 “Për përcaktimin e rregullave të detajuara mbi zbatimin e ndalimeve të parashikuara në ligjin nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike””, njoftoi prokuroria.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë