Nga Gazeta “Si” – Haas prezantoi njëvendëshen për sezonin e ri në Formula 1.
Ngjyrim mbresëlënës bardhë e kuq, përmes një serie pamjesh dixhitale, një javë përpara “Shakedown Week” në Barcelonë.
Skuadra amerikane i është përmbajtur qasjes tradicionale, duke e bërë prezantimin online përpara se makina të zbulohet fizikisht në pistë.
Haas do të vazhdojë me të njëjtin binom pilotësh, Esteban Ocon dhe Ollie Bearman në sezonin e të 11-të në Formula 1, ndërsa Ayao Komatsu mbetet në krye të ekipit si Drejtor i Përgjithshëm (Team Principal).
Prezantimi ofroi një tjetër vështrim mbi atë që mund të presim nga rregullorja e re për shasinë dhe motorrin në Formula 1.
Makina më të vogla dhe më të lehta, me motorë që do të kenë një ndarje 50-50 të fuqisë mes karburantit dhe elektricitetit, si dhe do të përdorin karburant të pastër dhe të qëndrueshëm.




Ngjyrat e reja, dominohen nga e bardha dhe përfshijnë një prani më të madhe të markës “Toyota Gazoo Racing” (TGR), që ka zgjeruar bashkëpunimin në një partneritet titullar për sezonin 2026.
Haas do të udhëtojë këtë fundjavë drejt Barcelonës për të nisur përgatitjet e fundit, përpara se makina të dalë për herë të parë në pistë gjatë “Shakedown Week” në “Circuit de Barcelona-Catalunya” më 26 Janar.
Bëhet fjalë për një test privat pesëditor, ku ekipet lejohen të zhvillojnë testime në 3 nga 5 ditët në dispozicion.
Më pas, ato do të zhvendosen në Bahrein për testet zyrtare para-sezonale më 11–13 Shkurt dhe 18–20 Shkurt.
Ocon, i cili do të garojë në sezonin e dytë me Haas, tha: “Jam shumë i emocionuar për këtë vit. Ky ekip po rritet vërtet dhe po mëson shumë. Që nga momenti kur u bashkova, kanë ndodhur shumë gjëra pozitive.”
Ndërkohë, Bearman, i cili gjithashtu hyn në sezonin e tij të dytë në Formula 1, shtoi: “E ngrita ndjeshëm nivelin tim. Mendoj se në gjysmën e dytë të sezonit fillova të arrij rezultate shumë të mira, me të cilat isha vërtet i kënaqur, dhe kjo ishte vendimtare për mua. Jam i emocionuar ta vazhdoj këtë edhe këtë vit.”
Haas – që do të vazhdojë të përdorë motorrët Ferrari – synon të përmirësojë vendin e 8-të të arritur në Kampionatin e Konstruktorëve sezonin e kaluar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)


