Drejtësia

Shtyhet në 2 shkurt seanca paraprake ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj

Gazeta Si – Shtyhet për në 2 shkurt seanca paraprake ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj dhe të pandehurve të tjerë, të akuzuar për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë.

Avokatja e caktuar kryesisht për Erion Veliajn, Valentina Teodoresku, ka marrë leje nga gjykata për t’u takuar me Erion Veliajn në paraburgimin e Durrësit dhe për t’u konsultuar lidhur me mbrojtjen e tij.

Kryebashkiaku ishte i pranishëm në seancë ndryshe nga hera e kaluar kur nuk u paraqit me pretendimin se furgoni i drejtorisë së burgjeve kishte mbërritur vonë.

Seanca e kaluar u shty për shkak të mungesës së Erion Veliajt, ku avokatët e tij thanë para Gjykatës së Posaçme se kryebashkiaku i Tiranës donte të ishte i pranishëm dhe kishte pritur prej mëngjesit furgonin e shoqërimit në ambientet e paraburgimit të Durrësit.

Sipas tyre, mungesa e Veliajt pa një deklaratë për vullnetin e tij nëse do të ishte apo jo i pranishëm e bënte të pamundur vijimin e seancës.

Por pretendimet e ngritura nga avokatët se nuk është shoqëruar në ambientet e gjykatës u mohuan nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, që i cilësoi si të pavërteta.

Më herët, Gjykata e Posaçme i rrëzoi kërkesat e Erion Veliajt për t’i dhënë akses të njihet me dosjen në burg, si dhe që gjatë seancave gjyqësore të qëndrojë jashtë kafazit të qelqtë.

Po shtu, Gjykata Kushtetuese riktheu në detyrë Erion Veliajn me vendimin e marrë më datë 3 nëntor, ku thuhej se vendimi i qeverisë për shkarkimin e tij si kryebashkiak ishte i kundraligjshëm për faktin se atij nuk iu dha mundësia që të ishte i pranishëm në mbledhjen e këshillit bashkiak, ku u votua me shumicë votash për ta shkarkuar.

Veliaj u arrestua më 10 shkurt të këtij viti nga SPAK në kuadër të hetimeve për korrupsion dhe pastrim parash. Në dosjen ndaj tij janë në total 29 të pandehur ku krahas kryebashkiakut të Tiranës është edhe bashkëshortja e tij Ajola Xoxa dhe disa përfaqësues të kompanive private dhe organizatave jofitimrurëse.

Ndaj Veliajt janë ngritur akuzat korrupsion pasiv në 9 raste, pastrim parash, mosdeklarim pasurie dhe fshehje të të ardhurave, shpërdorim detyre, si dhe futje e sendeve të ndaluara në qeli.

Aktualisht çështja ndaj tij është në seancë paraprake dhe pritet të vendoset nëse gjykata do të pranojë çështjen ndaj tij për gjykim të plotë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë