Sociale

Stresi në punë/ Kompanitë nuk respektojnë ligjin e shëndetit, mungojnë mjeku dhe psikologu

Nga Gazeta Si- “Kam ditë jam i shqetësuar, sepse më duket se, sa herë hyj në zyrë të tjerë ikin. Nuk e di pse më largohen. U duket sikur vij erë, por unë nuk vuaj nga asnjë sëmundje. I kam bërë të gjitha analizat dhe kam dalë mirë”.

25-vjeçari, punonjës në një kompani private, tregon se prej disa muajsh po përjeton makthin e braktisjes nga kolegët e zyrë. Aq e fortë është bërë kjo ndjesi, sa ai tashmë po e flet dhe me drejtuesit në formën e ankesës.

“Më kanë vënë kamera, e di unë kush e ka bërë. Ja kam thënë dhe drejtueses, të merren masa”.

E pyetur nga Gazetasi.al, mjekja psikiatre Valentina Asabelli, thotë se presioni në punë po i vë të rinjtë në një situatë që po krijon çrregullime në funksionim.

Natyra të ndjeshme, të cilat e kanë të pamundur integrimin, janë gjendur para këtij presioni, i cili i bashkohet vështirësive të tyre të mëparshme familjare dhe sociale duke formuar çrregullime edhe më të rënda e të vështira.

Sipas ekspertëve, rastet e psikozave tek të rinjtë po rriten ndjeshëm.

Shqetësuese paraqitet mosha 20-35 vjeç, aktive për punë, të cilët shfaqin probleme të vetëvlerësimit të ulët, inferioritetit.

Në disa raste, pacientë të kësaj moshe kanë qenë dhe viktima të bullizimit në shkollë apo dhunës fizike dhe psikologjike në familje.

“Psikoza është një çrregullim i rëndë mendor që karakterizohet nga një dëmtim i thellë i funksionimit social dhe emocional. Ajo ndikon në personalitetin e individit, duke i bërë të vështirë dallimin midis realitetit dhe përjetimeve të tyre të brendshme. Pacientët me psikoza shpesh përjetojnë deluzione dhe halucinacione, të cilat i ndajnë plotësisht nga bota e jashtme dhe funksionimi normal i përditshëm. Ky çrregullim mund të jetë i përkohshëm ose kronik dhe ka një ndikim të madh në jetën e individit, duke ndikuar në marrëdhëniet shoqërore, aftësinë për të punuar dhe cilësinë e përgjithshme të jetesës”, thotë mjekja psikiatre.

Duke u fokusuar tek rasti i djalit 25-vjeçar, ekspertët theksojnë se personat me psikoza shpesh përballen me vështirësi në vendin e punës, për shkak të problemeve me përqendrimin dhe vendimmarrjen.

Megjithatë, me mbështetjen e duhur, ata mund të riintegrohen dhe të kenë një jetë profesionale të suksesshme.

“Psikoza është një gjendje e rëndë mendore që kërkon vëmendje dhe trajtim të specializuar. Me trajtimin e duhur, shumë pacientë mund të përmirësojnë cilësinë e jetës së tyre dhe të rikthehen në një funksionim të qëndrueshëm social dhe emocional”, thotë psikiatrja Valentina Likaj.

Mungesa e psikologut në punë

Ajo që vihet re rëndom në Shqipëri, është mungesa e psikologut në kompanitë publike dhe private.

Sipas psikologes Eksena Qirici, psikologu në vendin e punës është një domosdoshmëri në disa profesione.

“Në kultura si e jona ku vendi i punës konsiderohet luks, privilegj që ta ka dhënë dikush, sakrificë sublime, etj., aspekti psikologjik i funksionimit të punonjësit nuk përbën interes, sepse ne kemi një përgjigje “ka të tjerë që presin”.

Psikologe Eksena Qirici. Gazeta Si, Janar, 2026.

Sot, ka një njohje ndryshe të vlerës së mendjes dhe kjo krijon mundësi që të vihen në pah shumë keqfunksionime të kolegëve që kemi në vendin e punës”, thotë për Gazeta Si.al, psikologia Eksena Qirici.

Problemet e shëndetit mendor tek të rinjtë, e kanë zanafillën më herët, në fëmijërinë e tyre.

Një studim ndërsektorial u  krye në Shqipëri në vitin 2022, duke përfshirë një mostër përfaqësuese mbarëkombëtare prej 5454 nxënësish të moshës 11, 13 dhe 15 vjeç.

Rezultatet treguan se, prevalenca e indekseve më të dobëta të shëndetit mendor ishte 5.2% për shëndetin jo të mirë, 61% për ndjenjën e ulët, 59% për nervozizmin, 56% për nervozizmin, 33% për vështirësitë e gjumit, 31% për vetminë, 16% për humorin e ulët, 36% për vetëefikasitetin e ulët, 15% për ankthin dhe 35% për ndikimin negativ të COVID-19 në shëndetin mendor.

Vajzat, nxënësit më të vjetër dhe ata baballarët e të cilëve ishin të papunë shfaqën një prevalencë dukshëm më të lartë të shëndetit mendor më të dobët për shumicën e indekseve.

Fëmijët nga zonat rurale dhe ata nga familjet më pak të pasura kishin një prevalencë më të lartë të shëndetit më të dobët të vetëvlerësuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë