Drejtësia

Arratisja e Altin Ndocit, lihet në burg ish-drejtori i burgut të Durrësit

Gazeta Si – Gjykata e Durrësit ka lënë në “arrest me burg” ish-drejtorin e burgut të Durrësit, Indrit Cërloj, i cili u vu në pranga për arratisjen e të paraburgosurit Altin Ndoci nga Spitali i Durrësit, ku ndodhej për mjekim. Ndërkohë togat e zeza lanë në “arrest shtëpie” mjeken Ylfete Sema, e cila dyshohet se nuk e vitizitoi në qeli.

Altin Ndoci, i konsideruar një person me rrezikshmëri të lartë, vazhdon të qëndrojë në arrati pasi iku nga Spitali i Durrësit më 13 janar 2026.

Arratisja e tij shkaktoi një valë hetimesh dhe masa të rrepta disiplinore, duke çuar në shkarkimin e të gjithë zinxhirit komandues të Burgut të Durrësit.

Sipas dosjes së Prokurorisë, Ndoci kishte shkuar në Spitalin Rajonal të Durrësit për probleme me veshkat, ku ka shfaqur dhimbje të vazhdueshme dhe shqetësime të tjera shëndetësore. Ai kishte marrë rekomandimin e mjekut të burgut për të kryer kontroll dhe trajtim të specializuar.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve njoftoi se për dërgimin e Ndocit në spital nuk janë respektuar procedurat e parashikuara për raste të tilla.

Shkeljet u evidentuan edhe nga pamjet e kamerave të sigurisë, ku Ndoci shihet duke zbritur nga autoambulanca për t’u futur në spital i shoqëruar nga efektivët, por pa pranga në duar.

Pasi doli nga godina e Infektivit, ai vrapoi jashtë rrethimit të spitalit pa asnjë pengesë, duke siguruar largimin e tij me një automjet tip “Audi” ngjyrë e zezë, e cila e priste jashtë.

Ndërkohë, 4 ditë pasi u emërua drejtor i komanduar në burgun e Durrësit, Edmond Llabani ka pësuar hemorragji cerebrale.

Sipas burimeve, ai është transportuar në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, ku po merr mjekimin e nevojshëm.

Llabani zëvendësoi ish-drejtorin Indrit Cërloj, i cili u shkarkua pas arratisjes Altin Ndoci nga spitali rajonal i Durrësit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë