Ekipi i shpëtimit në SHBA, Grey Bull, ka publikuar një video të shkurtër që tregon se si e ndihmuan udhëheqësen e opozitës venezueliane, María Corina Machado, të arratisej nga vendi muajin e kaluar.
Machado u largua nga Venezuela në fillim të dhjetorit pas pothuajse një viti në fshehje, në mënyrë që të mund të pranonte Çmimin Nobel për Paqen në Norvegji. Ajo hipi në një varkë nga bregu i Venezuelës dhe lundroi drejt një pike takimi në Detin e Karaibeve. Atje, ajo u mor nga themeluesi i Grey Bull dhe veterani i forcave speciale, Bryan Stern, dhe ekipi i tij, të cilët po e prisnin në një varkë tjetër.
Videoja e redaktuar dy-minutëshe tregon momentin kur Machado arriti dhe hipi në anijen e dytë në mes të natës.
“Janë ata, janë ata, janë ata,” dëgjohet të thotë Stern ndërsa dritat nga varka e Machado shfaqen në distancë dhe i afrohen anijes së tij.
Pasi konfirmon identitetin e Machados, dëgjohet Stern duke e ndihmuar të hipë në varkën e tij, megjithëse momenti i saktë i transferimit mezi shihet për shkak të errësirës së natës.
Videoja vazhdon me Machado-n e veshur me një xhaketë të errët dhe kapelë, duke folur drejtpërdrejt me kamerën: “Unë jam María Corina Machado. Jam gjallë. Jam shëndoshë e mirë dhe shumë mirënjohëse ndaj Grey Bull.”
Videoja përfundon me imazhe të ndryshme të Machados me Sternin dhe ekipin e tij.
Stern tha më parë se ata arritën në breg herët në mëngjes pas një udhëtimi të gjatë, të ftohtë dhe të tensionuar. Nga atje, Machado hipi në një aeroplan që shkonte në Norvegji, ku do të merrte Çmimin Nobel dhe do të shihte familjen e saj.
Grey Bull tha muajin e kaluar se misioni zgjati gati 16 orë dhe u krye kryesisht në mes të natës përmes ujërave të trazuara.
Machado më herët të premten nuk pranoi të komentonte mbi operacionin, duke përmendur shqetësime për sigurinë e atyre që ishin të përfshirë.
Stern tha muajin e kaluar se operacioni u financua nga donatorë anonimë dhe, sipas dijenisë së tij, nuk u mbështetet nga qeveria amerikane, por ai pranoi se ekipi i tij komunikoi me ushtrinë amerikane për t’I vënë ata në dijeni për praninë e tyre në det.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



