Gazeta Si – Me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës, janë sekuestruar pasuritë me vlerë rreth 30 milionë euro të spanjollit Alvaro Castillo në Shqipëri, i akuzuar për mashtrim dhe pastrim parash.
Sipas njoftimit, del se babai dhe gruaja e tij kanë qenë të përfshirë në një skemë mashtrimi për të cilën kishin krijuar kompani në shtete të ndryshme, si Spanjë, Portugali, Shqipëri, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Republika Dominikane dhe Estonia, duke përdorur transaksione dhe kontrata fiktive për të fshehur qarkullimin e parave.
Tre personat e proceduar penalisht kishin në Shqipëri agjenci me objekt veprimtarie në fushën e turizmit dhe menaxhimit të hoteleve.
Sipas prokurorisë, ata kanë blerë pasuri të paluajtshme në Dhërmi me vlera dukshëm më të ulëta sesa vlera e tregut, duke gjeneruar rreth 30 milionë euro për përfituesit.
Prokuroria e Tiranës bën të ditur se u sekuestruan pasuritë: “shoqëri tregtare, mbi 33 ha tokë në Dhërmi, automjete e llogari bankare të shtetasit spanjoll në Shqipëri, të dyshuara se janë produkt i veprës penale ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’”, – thuhet në njoftim.
Në Shqipëri, të përfshirë në këtë veprimtari rezultojnë shoqëritë “Wingwort” sh.p.k, “Wortned” dhe “Wortonova”, të regjistruara me objekt veprimtarie në turizëm dhe menaxhim hoteletesh.
Hetimet zbuluan se subjektet ushtrojnë të njëjtin aktivitet dhe kanë të njëjtën adresë, me administratorë të njëjtë, duke ngritur dyshime për përdorim formal të subjekteve për fshehje të të ardhurave me origjinë të dyshimtë.
Sipas Prokurorisë së Tiranës, D.I., është objekt i hetimeve nga Audiencia Nacional në Spanjë për mashtrim piramidal dhe pastrim parash, ndërsa A.C., i njohur me emrin “Luis” ose “Cryptospain”, ka komunikuar me investitorë përmes platformës Telegram, duke i bindur ata të investonin shuma që nisnin nga 1.5 milionë euro, pa identifikim të detyrueshëm. “Kjo e bënte të pamundur gjurmimin e transaksioneve financiare”, thekson Prokuroria.
Pas verifikimeve, rezultoi se disa nga kompanitë e regjistruara në Shqipëri nuk kanë zhvilluar aktivitet real ekonomik dhe përdoren për fshehjen e qarkullimit të parave.
Dy prej këtyre kompanive, “Wortned” dhe “Wortonova”, u regjistruan në Qendrën Kombëtare të Biznesit në Tiranë në qershor 2024, me adresë në rrugën “Teodor Keko”.
Sekuestrimi i pasurive
Tokën me sipërfaqe 13.66 ha në Dhërmi, vendi Kolia;
Tokën me sipërfaqe 9.5 ha në Dhërmi, vendi Megali-Langadhea;
Shoqëritë “Wortend”, “Wingwort” dhe “Wortonova”;
Automjetet Toyota Land Cruiser dhe Mercedes Benz AMG G63;
Llogaritë bankare të të dyshuarit në të gjitha bankat ku mund të ketë llogari aktive.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



