Drejtësia

Si u hakeruan email-et e SPAK nga ish-drejtori i Burgjeve, Agim Ismaili dhe dy të tjerë

Gazeta Si – Pas më pak se një viti hetime, SPAK ka dërguar për gjykim dosjen për hakerimin e kompjuterave të disa prej prokurorëve të posaçëm, ku të pandehur janë marrë, ish-drejtori i Burgjeve, Agim Ismaili, Zambak Gjoni, ish-zyrtarit të burgut të Vlorës dhe Arnold Rrokaj. Ata akuzohen për hakerimin e e-maileve zyrtare të prokurorëve të SPAK në mars të vitit të shkuar.

Sipas një njoftimi të SPAK, i pandehuri Arnold Rrokaj aksesoi në mënyrë të paautorizuar materiale hetimore të Prokurorisë së Posaçme, një pjesë e të cilave u dërguan te të pandehurit Zambak Gjoni dhe Agim Ismaili.

Ish-numri një i Burgjeve dhe vartësi i tij, akuzohen nga SPAK se materialet që ata morën në dispozicion i shpërndanë më pas te persona të tretë.

Ismaili, për Prokurorinë e Posaçme, pasi u njoh me përmbajtjen e të dhënave, përveç se i shpërndau, kërkoi thellimin e përgjimit të paligjshëm të sistemeve të SPAK, duke kërkuar gjetjen e të dhënave për persona të ndryshëm.

Zambak Gjoni dhe Arnold Rrokaj u identifikuan brenda 24 orësh dhe u arrestuan menjëherë, duke parandaluar kështu edhe shpërndarjen e mëtejshme të materialeve hetimore.

Bëhet fjalë për ndërhyrjen në kompjuterat e prokurorëve të SPAK, Enkeleda Millonia, Behar Dibra dhe Elida Kaçkini.

Gjatë hakerimit ata tentuan të futeshin edhe në e-mailet e drejtuesit të atëhershëm të prokurorisë, Altin Dumani, por nuk patën sukses për shkak të masave të sigurisë.

Prokuroria njofton se:

Arnold Rrokaj i hetuar me masën e sigurimit “Arrest në burg” dhe i akuzuar për veprat penale “Hyrja e paautorizuar kompjuterike”, paragrafi i dytë dhe “Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, paragrafi i dytë, të kryer në formën e posaçme të bashkëpunimit atë grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Zambak Gjoni i hetuar me masën e sigurimit “Arrest në burg” dhe i akuzuar për veprat penale “Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, paragrafi i dytë, të kryer në formën e posaçme të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Agim Ismaili i hetuar në gjendje të lirë dhe i akuzuar për veprat penale “Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, paragrafi i dytë, të kryer në formën e posaçme të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë