Ngjarje

SHBA pezullon vizat për Shqipërinë, CNN: Nuk preken vizat turistike dhe studentore

Pas pezullimit të lotarisë amerikane, DASH ka lajmëruar ndalimin e dhënies së vizave nga 21 janari për Shqipërinë.

Administrata Trump po pezullon të gjithë përpunimin e vizave për vizitorët nga 75 vende, përfshirë Shqipërinë. Kështu ka raportuar këtë të mërkurë Fox News duke cituar një dokument nga Departamenti i Shtetit të SHBA-ve.

Kosova, Mali i Zi, Bosnje Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Somalia, Rusia, Irani, Afganistani, Brazili, Nigeria, Tajlanda janë ndër vendet e prekura, sipas raportit.

Sipas CNN, pezullimi vlen për vizat e emigrantëve, të tilla si ato për punësim ose për t’u bashkuar me familjen në SHBA. Pezullimi nuk vlen për vizat studentore dhe turistike, dhe si i tillë nuk do të zbatohet për ata që kërkojnë të udhëtojnë për në Kupën e Botës në SHBA këtë verë.

“Departamenti i Shtetit do t’i bëjë pauzë shqyrtimit të vizave për emigrantë nga 75 shtete, emigrantët të cilët marrin ndihma sociale nga populli amerikan në nivele të papranueshme. Kjo ndalesë do të jetë në fuqi deri kur SHBA-ja të sigurohet që migrantët e rinj nuk do të përfitojnë nga populli amerikan”, shkroi Departamenti amerikan i Shtetit në X.

Ndërkohë zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Tommy Pigott deklaroi se “Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump po i jep fund abuzimit të sistemit të emigrimit të Amerikës nga ata që synojnë të pasurohen nga populli amerikan”.

Pezullimi vjen në mes të një goditjeje të gjerë ndaj emigracionit të ndjekur nga presidenti republikan i SHBA-ve, Donald Trump, që kur mori detyrën janarin e kaluar.

Në nëntor, Trump kishte premtuar të “pezullonte përgjithmonë” migracionin pas një të shtëne pranë Shtëpisë së Bardhë nga një shtetas afgan që vrau një pjesëtar të Gardës Kombëtare.

Në komunikatën e dërguar në përfaqësitë diplomatike në mbarë botën udhëzoheshin zyrtarët konsullorë të zbatonin rregulla të reja gjithëpërfshirëse të kontrollit sipas të ashtuquajturit dispozitë “public charge” të ligjit të emigracionit.

Udhëzimi i kërkon zyrtarëve konsullorë të refuzojnë vizat për aplikantët që vlerësohen se ka gjasa të mbështeten në përfitime publike, duke marrë në konsideratë një gamë të gjerë faktorësh, përfshirë shëndetin, moshën, njohuritë e gjuhës angleze, gjendjen financiare dhe madje edhe nevojën e mundshme për kujdes mjekësor afatgjatë.

Aplikantët më të moshuar ose mbipeshë mund të refuzohen, ashtu si edhe ata që kanë pasur ndonjë përdorim të mëparshëm të ndihmës financiare shtetërore ose janë institucionalizuar.

Lista e plotë e vendeve për qytetarët e të cilëve pezullohet dhënia e vizave amerikane:

Afganistan, Shqipëri, Algjeri, Antigua dhe Barbuda, Armeni, Azerbaixhan, Bahamas, Bangladesh, Barbados, Bjellorusi, Belize, Butan, Bosnje-Hercegovinë, Brazil, Burma, Kamboxhia, Kamerun, Kepi i Gjelbërt, Kolumbi, Bregu i Fildishtë, Kuba, Republika Demokratike e Kongos, Dominika, Egjipti, Eritrea, Etiopia, Fixhi, Gambia, Gjeorgjia, Gana, Grenada, Guatemala, Guinea, Haiti, Iran, Irak, Xhamaika, Jordani, Kazakhstan, Kosova, Kuvajt, Kyrgyzstan, Laos, Liban, Liberi, Libi, Maqedonia e Veriut, Moldova, Mongolia, Mali i Zi, Marok, Nepal, Nikaragua, Nigeria, Pakistan, Republika e Kongos, Rusia, Ruanda, Saint Kits dhe Nevis, Saint Lucia, Saint Vincent dhe Grenadines, Senegal, Sierra Leone, Somalia, Sudani Jugor, Sudan, Siria, Tanzania, Tailanda, Togo, Tunizia, Uganda, Uruguaj, Uzbekistan and Jemen.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë