Drejtësia

Shtyhet më 22 janar seanca për dosjen ‘Meta’, ish-presidenti dhe Kryemadhi në sallë

Gazeta Si – Pas rreth 30 minutash seancë, GJKKO vendosi të shtyjë më 22 janar seancën paraprake të dosjes në ngarkim të ish-presidentit të vendit, Ilir Meta dhe të pandehurve të tjerë, ku pritej të vendosej nëse çështja do të kalonte ose jo për gjykim.

Meta ndodhej i pranishëm në sallë i shoqëruar nga avokati i tij, Kujtim Cakrani, ndërsa në GJKKO u paraqit edhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, e cila u pa duke u futur në institucionin e drejtësisë e buzëqeshur para mediave, por nuk u prononcua.

Mësohet se SPAK ka kërkuar që çështja të kalojë për gjykim duke pretenduar se ka prova të forta. Meta kërkon zëvendësimin e masës së sigurisë, ndërsa mbrojtja e tij ligjore argumenton se ka përfunduar afati i paraburgimit.

SPAK më 28 korrik mbylli hetimet për Metën, Kryemadhin dhe 3 të pandehurit e tjerë, ku dosja ndaj tyre përmban tre hetime, një në aferën “CEZ-DIA”, lobimin e LSI në SHBA dhe hetimin pasuror. Për Metën dhe Kryemadhin akuzat janë të njëjtat: korrupsion pasiv, pastrim parash dhe fshehje pasurie.

Ish-presidenti Ilir Meta ndodhet në paraburgim që prej tetorit të vitit 2024, ndërsa ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi është nën masën e “detyrimit për paraqitje”.

Dosja “Meta” përfshin gjithashtu hetime ndaj nënës së Kryemadhit, Pirro Xhixhos dhe Ema Çokut. Të pandehurit akuzohen për disa vepra penale, përfshirë korrupsionin pasiv, pastrimin e parave dhe mosdeklarimin e pasurive.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë