Gazeta Si – Avokatët e kreut të PD, Sali Berisha, kanë kundërshtuar gjatë seancës së kësaj të hëne në GJKKO pretendimet e SPAK, për akuzën e korrupsionit të ngritur ndaj ish-kryeministrit për aferën e klubit sportiv “Partizani”.
Një prej avvokatëve të kryedemokratit, Genc Gjokutaj, ka kërkuar që Gjykata e Posaçme të thërrasë si dëshmitar edhe kryeministrin Edi Rama, i cili gjatë kohës kur pretendohet se është kryer vepra penale e Berishës, ka qenë kryetar i Bashkisë së Tiranës.
Sipas avokatëve, SPAK nuk ka dhënë asnjë sqarim se në cilin fragment të dosjes ka ndonjë shkelje të Berishës. Në argumentet e tyre, mbrojta e Berishës u bazua në 3 shtylla.
Së pari, mbrojtja thotë se SPAK është në tejkalim kompetencash, ku nuk mund të vlerësojë bazën ligjore, VKM apo politikat që ndjek një qeveri. “Këtë e bën vetëm Gjykata Kushtetuese”.
Së dyti, ka mungesë të faktit penal. “SPAK nuk ka arritur të identifikojë në kërkesën për gjykim veprimet konkrete te Berishës përmes të cilave ka shkelur ligjin. Sot SPAK e akuzon Berishën për një veprimtari të tërë administrative, kur do të duhet të ndante veprime konkrete. Të tregonte para gjykatës pasojën që kanë sjellë këto veprime. Aktet që përmend Prokuroria nuk kanë karakter individual, por të përgjithshëm”.
Sipas mbrojtjes, “në kërkesën e vet, SPAK ka gjetur fajtorin dhe më pas fajin që është kryer. SPAK nuk ka sjellë asnjë provë që Berisha ka rënë me një marrëveshje paraprake për privatizimin dhe më pas e ka kryer përmes akteve ligjore dhe nënligjore që në përfundim të merrte ryshfetin përmes dhëndrit të tij. Asnjë dëshmitar nuk e thotë këtë dhe asnjë provë tjetër. SPAK e provon këtë marrëveshje me deduksion”.
Së treti, mbrojtja pretendon se ndjekja penale ka qenë e ndikuar politikisht. Argumentet mbështeten në deklarata të kryeministrit Edi Rama, ish-ambasadores Yuri Kim dhe një ish-zyrtari amerikan.
Avokatët theksojnë se Rama i ka bërë thirrje SPAK të hetonte çështjen dhe ka dhënë udhëzime se si të kryhej hetimi, ndërsa shumica parlamentare ka bërë një kallëzim që është vlerësuar jashtë afateve ligjore dhe nuk është hetuar.
Avokati Genc Gjokutaj ka lexuar kërkesën për provat shkresore, duke theksuar se provat materiale të paraqitura nga Prokuroria e Posaçme nuk implikojnë Berishën.
Mbrojtja kërkon të merren si dëshmitarë të gjithë të pyeturit nga prokuroria, përfshirë kryeministrin Edi Rama për vendimet ligjore mbi ndryshimin e destinacionit të pronës, si dhe një ish-oficer që sipas mbrojtjes është aktivist i Partisë Socialiste.
Avokatët kërkojnë gjithashtu paraqitjen e DVD-së së fjalimit të Ramës në Asamblenë e PS-së, për të vërtetuar ndikimin politik në këtë çështje.
Në përfundim të kësaj faze, treshja e gjyqtarëve do të vendosë nëse do t’i pranojë të gjithë dëshmitarët apo jo.
Dosja për aferën “Partizani” kaloi për gjykim më 19 maj. Berisha do të gjykohet për akuzën e korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë, pasi akuzohet se, në cilësinë e kryeministrit, ka ndërmarrë veprime konkrete në miratim ligjesh dhe aktesh nënligjore, ku përfitues ishte edhe dhëndri i tij.
Edhe Jamarbër Malltezi është nën akuzë për korrupsion por edhe për pastrim parash. Sipas SPAK, ai ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij.
Ortaku i Malltezit, Fatmir Bektashi akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash, ndërsa trashëgimtari i tokës Xhimi Begeja dhe financierja Andia Pustina, që merrej me punët financiare dhe ligjore të kompanisë “Homeplan”, akuzohen për pastrim parash.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



