Gazeta Si – Kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, i pranishëm në konferencën Kombëtare “Cilësia e drejtësisë”, ka folur në lidhje me sistemin e drejtësisë, duke theksuar se një vendim gjyqësor i pa kuptuar, është një konflikt i hapur nesër.
“Një vendim i pakuptueshëm është një konflikt i shtyrë për nesër”, nënvizoi ai. Sadushi u shpreh se shpejtësia pa koherencë dhe pa arsyetim të qëndrueshëm përbën rrezik për sigurinë juridike dhe besimin e publikut.
“Cilësia e drejtësisë nuk matet vetëm me shpejtësinë e gjykimit apo uljen e ngarkesës së çështjeve, por mbi të gjitha me forcën e arsyetimit, qartësinë dhe me parashikueshmërinë e vendimmarrjes. Shpejtësia është e rëndësishme, por shpejtësia pa arsyetim dhe pa koherencë kthehet në rrezik për sigurinë juridike. Ngarkesa dhe prapambetja janë realitete që nuk i shmangim lehtë. Megjithatë, drejtësia nuk mund të matet vetëm me numra. Treguesit statistikorë janë të dobishëm, por prova kryesore mbetet vendimi i arsyetuar, i kuptueshëm dhe i zbatueshëm”, theksoi ai.
Gjatë konferencës, ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, u shpreh se Shqipërisë i duhen më shumë gjyqtarë e prokurorë, si dhe asistentë ligjorë për ta.
Gonzato tha gjithashtu se gjyqtarët dhe prokurorët në Shqipëri po përballen me sfida të vështira këto kohë, pasi sipas tij, ata janë të detyruar që të punojnë nën presion dhe me një numër të madh dosjesh.
“I kuptoj sfidat që kanë gjyqatarët. E di që nuk është e lehtë që të punosh nën trysni e presion, në një stok të madh dosjesh. Këto sfida kërojnë zgjidhje. Na duhen më shumë gjyqtarë e prokurorë të mbështetur nga një numër këshilltarësh dhe asistentësh ligjorë. Si hap fillestar të gjitha vendet e lira duhet të plotësohen”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



